Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka marrë pjesë në mbledhjen e Task-Forcës, në Golem. Në këtë mbledhje, janë prezantuar masat e përbashkëta për mbarëvajtjen e një sezoni turistik të sigurt, përtej pandemisë.
Kujtojmë se duke ndjekur nga afër procesin e vaksinimit për operatorët turistik në zonën e Golemit, Manastirliu u shpreh se brenda muajit maj do të përfundojë vaksinimi i të gjithë punonjësve të strukturave akomoduese, për të lehtësuar sezonin turistik.
“Deri tani kemi kryer mbi 4 mijë vaksinime në të gjithë rrjetin e tour-operatorëve. Do të vijojmë vaksinimet ashtu sikurse e kemi nisur, me intensitet të shtuar, në mënyrë që të kemi një sezon turistik më të lehtësuar. Brenda muajit maj do të përfundojmë vaksinimin e punonjësve të strukturave akomoduese, siç e kemi nisur, qoftë në qendrat e vaksinimit të përqendruar por qoftë edhe në strukturat vetë, siç jemi sot në këtë kompleks, ku po kryhet vaksinimi i stafeve”, tha Manastirliu.
Gjatë konsultimeve me operatorët turistikë të zhvilluara në mbledhjen e Task-Forcës të zhvilluar në Golem, Manastirliu bëri me dije masat e shëndetësisë për sezonin veror, të fokusuara në tre komponentë.
“Prioritet mbetet vaksinimi, që, siç e përmenda do ta përfundojmë brenda muajit maj për operatorët turistikë. Sezoni turistik do të vijojë që të ketë në komponentët e tij edhe hapjen e qendrave shëndetësore verore. Do të jenë edhe këtë vit 28 qendra shëndetësore verore, me kujdes 24 orë, të cilat do të hapen përgjatë të gjithë zonave bregdetare, por edhe atyre turistike malore. Komponenti i tretë po kaq i rëndësishëm është programi i dezinsektimit të zonave turistike, i cili ka nisur sot në vijën bregdetare të Durrësit dhe në zonën e jugut dhe deri në datë 28 maj përfundon dezinsektimi i parë si proces i plazheve, duke filluar nga Velipoja drejt Shëngjinit dhe duke u finalizuar përgjatë gjithë bregdetit”, tha Manastirliu. Edhe sezoni turistik 2021 do të ketë një protokoll sa i takon masave anti-covid, për të pasur një situatë të kontrolluar të COVID19 gjatë sezonit turistik.