Detaje të reja janë bërë të ditura nga ngjarja e rëndë që ndodhi në një hotel në qerret mbrëmjen e djeshme, ku katër turistë rusë u gjetën të vdekur. Mësohet se në dhomën e tyre janë sekuestruar shishe me birra, por nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë konsumuar lëndë narkotike dhe të kenë kaluar në overdozë.
Dyshimet e para janë se turistët kanë përdorur kokainë, megjithatë kjo mbetet për t’u sqaruar nga hetimet. Ndëkohë, pritet ende ekspertiza mjeko-ligjore që do të përcaktojë edhe shkakun e vdekjes së tyre.
Kujtojmë që katër turistët që humbën jetën kishin lidhje familjare mes tyre pasi ishin çifti i bashkëshorteve, Nataliia Burenkova, 58 vjeçe dhe Sergei Burenkov, 60 vjeç si dhe vajza e tyre Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe dhe burri i saj, Nikita Belousov, 37 vjeç.
Kujtojmë që ngjarja u regjistrua mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:30 në një hotel në Qerret të Kavajës. Policia njoftoi se katër turistët u gjetën të pajetë në saunën e hotelit ku po pushonin. Më tej u bë me dije se ata kishin mbërritur në hotel vetëm disa orë para se ngjarja e rëndë të ndodhte, ndërsa ndodheshin në Shqipëri prej disa ditësh. Ata u gjetën të pajetë nga recepsionisti i hotelit,ndërsa turistët e tjerë kishin vënë re mungesën e tyre.