Ditën e sotme në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ka pasur përplasje të forta mes opozitës dhe mazhorancës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ju ka rikthyer çështjes së mandatit të Olta Xhaçka, ku u shpreh se me vendimin e fundit në sallën e Kuvendit u hodh në erë Gjykata Kushtetuese.
“zonja Kryetare, ju personalisht kishit vendosur të injoronit vendimet e Gjykates Kushtetuese. Ju jeni kryetarja e dytë që keni vendosur të hidhni në erë Gjykatën Kushtetuese, duke minuar në këtë mënyre edhe bashkëjetesën me opozitën”.
“Ne i jemi referuar Kushtetutës dhe drejtësisë për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Ju na e keni mohuar këtë të drejtë dhe keni grisur vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi.
Referuar kërkesës drejtuar Komisionit të Venecias, Bardhi tha se “Venecia është organ këshillimor, ai nuk ka efekt detyrimor”.
“Kjo sjellje e juaj si mazhorancë rrëzon gjithë poropagandën tuaj se gjasme jeni konstruktivë dhe jeni të hapur. Kjo është propagande pasi veprimet e juaja po na pamundësojnë detyrën. Nuk ka ndodhur kurrë që Kuvendi të mos zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese.”
Gjykata ju kërkonte që ta miratonit me shpejtësi pasi nuk ka kohe në dispozicion. Praktika juaj gjasme po pyesim Venecian, synon të shpëtojë mandatin me procedure. Këtu nuk ka të bëjë me individin pasi për ne ikën një Xhaçke dhe vjen një tjetër. Këtu kemi të bëjmë me parimet kushtetuese”, tha ai.
Në vijim, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së e konsideroi votimin e socialistëve në seancën për mandatin e Xhaçkës si të orientuar. “E dinim tri orë para se si do silleshit, ca abstenim e ca kundër. Ishte orientuar grisja e vendimeve dhe shkelmimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi.
Ndërkohë Niko Peleshi u shpreh se është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese duke e çuar mandatin në seancë.
“Natyrisht që kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e çuar mandatin në seancë. Kemi përmbushur të gjithë detyrimin; nuk bëhet fjalë vetëm për mandatin e një deputeti, por është i nevojshëm një qartësim për të gjitha rastet që mund të ndodhin në të ardhmen. Ne besojmë se një opinion nga Komisioni i Venecias do të na vlejë të gjithëve, sidomos në një situatë konflikti mes dy të drejtave: diskrecionit të deputetëve për të shprehur vullnetin e lirë në seancë dhe detyrimit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo qartësi do të na vlejë neve, dhe gjithashtu do t’ju vlejë edhe juve.”
Por si po përdoret Komisioni i Venecias nga mazhoranca si kalë troje?
Kryetarja e Parlamentit Elisa Spiropali pas votimit për çështjen Xhaçka u shpreh se do të kërkonin mendimin e Komisionit të Venecias. Në të njëjtën linjë ishte dhe kryetari i grupit parlamentar Niko Peleshi i cili tha se ka të bëjë me një paqartësi dhe do kërkohet mendimi i Komisionit të Venecias. Por çfarë funksioni ka ky komision?
Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit – i njohur më mirë si Komisioni i Venecias ndërsa mblidhet në Venecia – është organi këshillues i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese. Roli i Komisionit të Venecias është të ofrojë këshilla ligjore për shtetet e tij anëtare dhe, në veçanti, të ndihmojë shtetet që dëshirojnë të sjellin strukturat e tyre ligjore dhe institucionale në përputhje me standardet evropiane dhe përvojën ndërkombëtare në fushat e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe rregullit.
Pra Komisioni i Venecias nuk është asgjë më shumë se sa një organ këshillues, por jo detyrues. Çfarëdo sugjerimi pro apo kundër që të japë si përgjigje ky komision nuk mund të detyrojë qeverinë shqiptare për të vepruar për çështjen Xhaçka. Kjo është dhe arsyeja që mazhoranca e përdor si kalë troje, përshkak të funksioneve që ka dhe si çdo herë tjetër një tjetër manovër nga ana e mazhorancës që edhe kjo histori të kalojë pa bërë shumë bujë e të ngelet në harresë.