Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka folur edhe njëherë me detaje për lënien e tij jashtë listave të PS gjatë një “live-i” në Instastory. Bushati ka thënë se ai do të vazhdojë të kontribuojë në politikë për një PS që kujdeset për interesin public e për mirëqenien. Ish-ministri deklaroi se këto vite PS ka pësuar deformime dhe se ai ka konstatuar probleme të shumta duke filluar që nga individë që kanë blerë vota për partitë e tjera dhe tashmë i ofrohen edhe PS-së për të blerë vota.
“Planet e mia janë ato që i kam bërë publike dua të vazhdoj të kontribuoj në politikë. Dua të punoj për një PS, e cila ka në qendër të vëmendjes këto shqetësime që ngre unë, që kujdeset për interesin publik, që kujdeset për mirëqenien. Për një PS që është partia e intelektit, që është një parti që punon për ekonominë, për një shoqëri tregu. Këto janë ato shtyllat kryesore, që e mbajnë një familje politike së bashku. Tre janë elementet: organizimi, boshti i vlerave programatike dhe rregullat e bashkëjetesës. Kemi parë për fat të keq këto vite, qoftë në PS, deformime të këtyre elementeve. Me keqardhje kam konstatuar dhe identifikuar, si dhe ndarë shqetësimet e mia në forumet e PS.
Njerëzit duhet të dinë për çfarë votojnë, votojnë për një parti me një program të caktuar, një ekip që është i gatshëm të marrë në dorë fate te tyre dhe një lider në krye të këtij ekipi. Shqetësimi im kryesor ka qenë dhe mbetet me njerëz që e kanë krijuar karrierën politike në PD, duke blerë vota, më pas kanë shkuar në LSI, duke blerë vota, dhe sot i ofrohen PS, për të blerë vota. Apo njerëz që e kanë nisur në partinë Demokristiane dhe sot janë me PS. Ne nuk mundet ta banalizojmë apo zëvendësojmë rolin e aktivistit politik me rolin e një interesaxhiu, që i ofrohet një partie thjesht dhe vetëm për të marrë një vend pune. Unë do vijoj të bëj thirrje për respektimin e disa standardeve, për integritetin e tyre moral, profesional, dhe jo për të strehuar në listën e PS ato që i konsideroj ekzekutorët e gjakderdhjes financiare të këtij vendi. Mendoj se përmes vetëkorrigjimit PS do të ishte dhe do të jetë edhe më e fortë”, tha ish-ministri.
Bushati ka komentuar edhe skandalin e të dhënave të bërë publik ditët e fundit duke thënë se mbrojtja e të dhënave personale garantohet nga Kushtetuta. Ai tha se do preferonte që secila parti të ishte e shqetësuar në rast se të dhënat personale publikohen në portalet e ndryshme.
”Dua të bëj një sqarim, për mua si jurist dhe qytetar, e jo si politikan është e rëndësishme. Në Kushtetutën e 1998 për herë të parë është sanksionuar si një nga të drejtat themelore, të drejtat me mbrojtjen e të dhënave personale e trajtimin e tyre. Nga 98 e më pas është plotësuar kuadri ligjor e institucional që e trajton. Edhe për të dhënat sensitive. Ka regjim mbrojtës edhe më të fuqishëm se të dhënat personale.
Edhe si socialist jam disi krenar që ky koncept që ka qenë i panjohur për Shqipërinë është inkorporuar në kushtetutën e 1998, ishte produkt i PS se opozita e asojkohe e bojkotoi.
Duhet të jemi progresistë në vlera, radikalë në sjellje, edhe duhet të jemi reformistë në metodë. Progresistë në vlera sepse si unë që militoj në parti politike të qendrës së majtë, ku hyn trajtimi i të dhënave personale.
Radikal në sjellje, ka debat të mëdh, kam lexuar se Prokuroria ka nisur hetimet. Unë do të preferoja, ne të gjithë secilës parti, të ishim të shqetësuar në rast se të dhënat personale kanë dalë në shesh, jo këtu, por portalet e ndryshme. Në këtë pikëpamje më vjen keq që s’ka nisur hetimi administrativ. Nuk vë gishtin cilin institucion e ka fajin. Nuk di që të ketë mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Apo mbledhje të drejtorëve të entëve që merren me këto të dhëna”, tha Bushati.