Shqiptarët po ndryshojnë shpejt mënyrën se si lëvizin. Makinat elektrike po pushtojnë tregun dhe shifrat e vitit 2025 tregojnë një kthesë historike për automjetet në vend.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 6,187 automjete të reja tërësisht elektrike, një rritje prej 98 për qind krahasuar me një vit më parë. Ritmi i rritjes e ka kthyer këtë kategori në një nga zgjedhjet kryesore të blerësve shqiptarë.
DSHTRRSH njoftoi se makinat tërësisht elektrike përbëjnë 46.4 për qind të të gjitha automjeteve të reja të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2025, duke u afruar për herë të parë me gjysmën e tregut.
Ndërkohë, në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2025, numri total i makinave tërësisht elektrike të regjistruara në vend ka arritur në 12,565, një tregues i qartë i orientimit të qëndrueshëm drejt teknologjive më të pastra dhe ekonomike.
Në tërësi, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 98,927 automjete të reja dhe të përdorura në Shqipëri, shifër kjo që përfaqëson një rritje vjetore prej 27 për qind, sipas statistikave zyrtare.








