Biznesi: Nëse rikthehet karantina do të ketë falimentim të madh
Konfindustria kundërshton në mënyrë të qartë cdo rikthim të gjëndjes së karantinës për bizneset dhe qytëtarët si masë kundër Covid 19. “Konfindustria vlerëson, se rikthimi i mbylljes për ekonominë dhe lëvizjen e qytetarëve do të conte në mënyrë të pashmangshme në falimentim të sigurtë të shumë kategorive të bizneseve të mëdhenj, të mesëm dhe të vegjël, duke rritur ndjeshëm papunësinë dhe rënien e nivelit të mirëqënies. Vlerësohet, se sidomos falimentimi do të ishte i pakthyeshëm për një shumicë të industrive vendore. Sa më sipër do të rrezikonte seriozisht kapjen e mëtejshme kërcënuese të tregjeve vendore nga prodhimet dhe shërbimet e huaja konkurente me pasoja të pallogaritshme në afatgjatë për zhvillimin ekonomik dhe mirëqënien e qytetarëve shqiptarë”.
Sipas Konfindustrisë, pasojat ekonomike rrjedhuese do të ishin aq të rënda për mbijetesën e qytetarëve shqiptarë, sa mund të prodhojnë deri në përballje me prishje të paqes sociale dhe rendit kushtetues.
Konfindustria vlerëson, se ekonomia shqiptare pësoi një goditje mjaft të ashpër si pasojë e mbylljes kundër pandemi në 6 mujorin e parë të vitit 2020. Rënia ekonomike parashikohet të jetë deri në 12.5 % të PBB për vitin financiar në vazhdim. Vetëm në 3 muaj mars-maj 2020 humbjet në ekonomi përllogariten në mbi 2 miliard $.