Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë i ftuar ditën e sotme në “Syri.net”, ku dhe ka dhënë tre arsye pse ai vazhdon të jetë pjesë e grupit parlamentar i Partisë Demokratike. Ai ka thënë ndër të tjera se qëllimi nuk ishte personi, pra Sali Berisha, por sovraniteti dhe dinjiteti i këtij vendi.
“Data 10 ishte një ditë historike për mua. Një përpjekje e pandershme, e paimagjinueshme për të cenuar, për të marrë sovranitetin e parlamentit, për të diktuar se kush do hyjë në parlament, dështoi plotësisht.
Unë garantoj çdo shqiptar që qëllimi im nuk ishte personi Sali Berisha, por sovraniteti dhe dinjiteti i këtij vendi, të cilin për sa kohë të jetë i lirë dhe sovran, nuk duhet ta diktojë askush. Për mua kjo ishte më kapitalja,” tha Berisha.
Më tej ai ka thënë se vazhdonë të jetë anëtar i grupit të PD-së dhe se ka një ligj që përcakton sipas tij se kur deputeti nuk është anëtar i forcës së vetë politike.
“Unë jam anëtar i grupit të PD. Pavarësisht nga burokracia, por ka një ligj, i cili përcakton se kur deputeti nuk është anëtar i forcës së vet politike. Pse jam anëtar i grupit parlamentar të PD? Sepse unë kam kandiduar për PD dhe jo si i pavarur. Së dyti, KQZ e ka lëshuar mandatin e Sali Berishës si deputet i PD. Së treti, zoti Basha ka shpallur një deklaratë televizive, duke dhunuar çdo germë, çdo nen, çdo fjalë të statutit të PD.
Unë nuk kam asnjë vërejtje për mendimin e tij personal, por ky mendim është nul nëse nuk votohej minimumi në Këshillin Kombëtar ku duhet miratuar me dy të tretat”, është shprehur Berisha.
Po ashtu Berisha ka zbuluar për herë të parë se i ka kërkuar kreut të PD-së, Lulzim Basha dorëheqjen nga drejtimi i partisë pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2017.
“Në vitin 2017 kur ka humbur zgjedhjet në zyrën time i thashë duhet të japësh dorëheqjen, më tha nuk e jap. Në vitin 2021 nuk i thashë sepse nuk e jepte, isha i sigurt, por u përpoqa ti japë atë eksperiencë që kam unë në avokatinë e votës në institucionet ndërkombëtare. A kishte bazë ta bënte këtë? Absolutisht kishte bazë. Gjëja me thjesht ishte ti thosha zotëri ke humbur zgjedhjet 2 herë resht. Nëse arrinim të vinim sanksione ndaj Ramës për patronazhistët, ne u thonim shqiptarëve ia dolëm, tani do shkojmë me zgjedhje të lira. Ne tani nuk kemi gojë”, tha Berisha.
Berisha më tej ka thënë se lëvizja e tij do të mbyllet në momentin që anëtarësia e PD-së shprehet me votë, pro vendimit të Bashës.
“Lëvizja ime mbyllet ashtu si të votojë anëtarësia. Do filloj foltoret me anëtarësinë vetëm me këtë qëllim. Çfarëdo të përcaktojë anëtarësia ne duhet ti nënshtrohemi”, tha Berisha.
I pyetur se çfarë do t’i kërkojë anëtarësisë Berisha tha: “Atë që ajo ka shprehur, vlerësimin e vendimit. Nuk është qëllimi të rikthej kryetarin Berisha. Kjo betejë ka një qëllim që kurrë më një kryetar të mos mund t’i thotë anëtarësisë se unë e mora këtë vendim duke shkelur çdo rregull. Vendimi i jetës së Bashës duhet të ishte largimi i Ramës, jo thika pas shpinë e Sali Berishës. Po këtë do e gjykojë anëtarësia”.