Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se audio-regjistrimet e kryera nga Ergys Agasi në zyrën e tij përmbajnë prova për krime të rënda dhe vrasje me porosi, duke i cilësuar ato si fakte që, sipas tij, zbulojnë një skemë të gjerë abuzimesh dhe veprash penale.
Në deklaratën e tij, Berisha tha:
“Çfarë dimë për AKSHI-n, për Mirlindën e AKSHI-t, Lindën e Surrelit, për baxhon e Ramës, Armand Frangun, është vetëm maja e ajsbergut. Falë deponimeve tronditëse të Geron Meçes dhe të tjerëve të penduar, si dhe fonotekës së Ergys Agasit, janë zbuluar krime monstruoze. Aty janë të regjistruar ministra, gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë. Janë kryer vrasje me porosi, gjithçka në funksion të pasurimit dhe përfitimit të zgjedhjeve nga Edi Rama”.
Sipas tij, në këto materiale audio përfshihen zyrtarë të lartë, përfshirë ministra, gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa akuzoi se veprimet e përmendura janë kryer për përfitime financiare dhe elektorale.
Berisha shtoi se disponon edhe informacione të tjera lidhur me çështjen, por theksoi se nuk mund t’i bëjë publike për të mos devijuar diskursin publik.







