Bëri kërdinë me VIP-at, kjo është historia e pabesueshme e vlonjatit që vodhi 10 milion paund në Angli

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Astrit Kapaj është një nga hajdutët më të jashtëzakonshëm në Britaninë e Madhe, i cili për 10 vite arriti që të grabiste 10 milion paund.

Sipas “Top Story”, viktimat e shqiptarit ishin VIP-at, midis të cilëve tenisti Boris Becker dhe futbollisti, Nikolas Anelka.

Kapaj konsiderohej si ekspert, edhe pse në të shumtën e rasteve pronarët i linin shtëpitë të hapura.

Tentativa e parë për ta arrestuar ishte në 2016-ën, ku 30 policë u vunë në ndjekje të tij, pas këqyrjes së pamjeve të sigurisë.

Gazetari i “Daily Mail”, Stephan Wright, tregon se shqiptari gjatë grabitjeve mbante maskë, ndërsa ishte shumë i kujdesshëm për të mos lënë gjurmë.

Njëra prej denoncueseve shprehet se Kapaj nuk vidhte sende dosido, por varëse floriri, ora Rolex dhe para të thata.

Trofeu më i madh i tij është një orë Rolex Submariner e vitit 1955, me vlerë 500 mijë paund.

Mirëpo Astrit Kapaj nuk shpenzonte para dhe nuk kishte rënë në sy as nga banorët e fshatit Gjorm në Vlorë dhe as nga vëllai i tij.

Shqiptari nuk blinte veshje apo makina luksoze, ndërsa familja e tij njihej për faktin se ishin shumë të varfër dhe ish-të persekutuar.

Ndërkohë një komshie tregon se me sa vështirësi janë rritur Astriti dhe motrat e tij.

Vëllai i madh i Astritit, Nexhipi, ka në pronësi një dyqan të vogël në fshat ngritur në tokën e trashëguar nga babai i tyre.

Ai tregon, se Astriti vinte një herë në 2 vjet dhe u thoshte se punon, por ata nuk dinin asgjë për jetën e tij të dyfishtë.

Falë historisë së tij, familjen e Astritit tashmë e njeh i gjithë fshati Gjorm.

Gjithashtu gazetarët e “Daily Mail” udhëtuan në fshatin e Astritit për të parë nëse ai i dërgonte aty sendet e vjedhura, por ishte e kotë.

Familjarët e tij nuk dinin asgjë, ndërsa Nexhipi, i vëllai i Astritit, njihet pasi trasporton me furgon mësuesit drejt Vlorës.

“Fola me vëllain e tij. Mesa pashë, ishte një njeri shumë i rregullt. Nuk kishte asnjë dijeni për krimet. Nuk ishte krenar që i vëllai kishte kryer këto shkelje. Besoj se kishte një farë turpi nga familja e tij. Një nga gjërat që më interesonte mua, ishte nëse kishte përdorur paratë e vjedhura në Londër për të ndërtuar prona ose për të pastruar paratë në Shqipëri. Nuk kishte prova që mund të ta vërtetonin këtë”, tha Stephan Wright, Gazetar “Daily Mail”.

Shpërndaje
Share.

Komento