Mbledhja e Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi përfundoi në orët e para të mëngjesit, pas debateve të shumta, por pa dëshminë e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Situata u tensionua kur Beqaj hyri në sallë pas mesnate, duke reaguar ashpër ndaj deputetëve të PD-së, çka solli një përplasje verbale.
Deputetët e opozitës e cilësuan ngjarjen si skandal, duke pretenduar se Beqaj nuk kishte më leje për të qëndruar pas mesnate dhe duhet të kthehej në burg.
Albana Vokshi, Ina Zhupa dhe Edmond Spaho kërkuan ndërhyrjen e policisë dhe ngritën kritika ndaj administratës së Kuvendit dhe Gardës së Republikës për lejimin e hyrjes së tij në komision.
Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës e akuzuan opozitën për bllokimin e dëshmisë së Beqajt, ndërsa debati kaloi në çështjen e thirrjes së dëshmitarëve të tjerë si Vilma Nushi dhe kryeministrin Edi Rama.
Nënkryetari i komisionit, Plarent Ndreca, kërkoi që të vazhdohej sipas rendit të ditës të miratuar, duke theksuar se procesi hetimor duhet të përparojë.
Në fund, kërkesa e PD-së për shtyrjen e afatit të Komisionit Hetimor u rrëzua në Konferencën e Kryetarëve, ndërsa seanca u mbyll me vendimin për t’u mbledhur sërish për të adresuar këtë incident.
Pjesë nga biseda:
Ina Zhupa: Ilir Beqja tani duhet të shkojë atje ku ka vendin, ne të vazhdojmë diskutimet këtu. Ky komision nuk mund të bjerë peng i telefonatave të Ndrecës, që kam folur unë dhe kam marrë leje. Ju zonja kryetare mbani përgjegjësi sepse ju çoni shkresat. Nëse këta duan të bëjnë show dhe t’i japin një natë liri Beqjes, më vjen shumë keq. Sot është data 14 nëntor, leja që keni marrë për Beqjen është për 13 nëntorin.
Beqja hyn në Komision dhe i drejtohet Zhupës me fjalë e gjeste, por nuk dëgjohet.
Zhupa: Nuk mund të hyjë ai dhe të na kërcënojë ne. I keni dhënë liri të livadhisë në Kryesinë e Kuvendit.
Spaho: Ndërprisni mbledhjen, i thoni policisë ta marrë.
Vokshi: Vjen ai dhe kërcënon, ju si nuk flisni?! Si mundet të hyjë ai ashtu. I japin garanci këta.
Spaho: Të merret masë ndaj avokatit, punonjësve të Gardës që e lejuan.
Vokshi: Ju lutem shumë, që ta kuptojë publiku. Ai person që erdhi i shoqëruar nga policia e Burgjeve bredh i lirë në të gjitha ambientet, ka futur hunj, drunj mjete të forta dhe është lejuar, i lirshëm që të shkojë ku të dojë. Futet në këtë mbledhje bashkë me avokatin dhe u lejua dhe nga policia dhe nga Garda. Ky është një skandal. Garda duhet të marrë masa për atë djali nqë e la të hynte.
Spaho: Pamjet e kamerës duhen administruar dhe duhet të informohet opinioni publik.
Vokshi: Si s’të vjen turp ty dhe gjithë të tjerëve. Ti mos guxo të ma bësh mua ashtu, të të vijë turp ty dhe të gjithë ju që nuk reagoni. Turp t’ju vijë. Futet ai me pranga dhe na kërcënon. Nuk është i lirë ai të bëjë çfarë të dojë. Ai duhet të ishte i mbyllur në një sallë. Të guxojë Ilir Beqaj dhe të futet e të kërcënojë deputetët e opozitës është skandal, askush nga ju nuk guxon të flasë. Çfarë do bësh?
Ilir Metaj: Ty s’kam çfarë të bëj.
Vokshi: Ti po kërcënon. Po ça kujtoni ju. Ik merr një dajre në dorë dhe një fyell se nuk e ke vendin këtu.
Ina Zhupa: Juve t’u vijë turp se dhe po të ishte cilido dëshmitar, asnjë nuk lejohet të hyjë këtu brenda. Ai hyri dhe kërcënoi deputetët pse i thamë të zbatojë ligji. Juve t’ju vijë turp se jeni palë. Ju guxoni ta lini Ilir Beqajn që të livadhisë i lirë në Kryesinë e Kuvendit pa pyetur për polici, për Gardë. Ne kemi celularët, nuk lejohemi të kërcënohemi nga asnjë i burgosur dhe as Edi Rama.
Vokshi: Vajta vetë dhe i thashë personelit të Policisë së Burgjeve që ta largojë urgjentisht nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë një skandal kaq i madh që të guxojë një dëshmitar, edhe i zakonshëm të hyjë dhe të kërcënojë deputetët e opozitës. Nuk ka ku shkon më. Për ccfarë po rrimë ne këtu. Çfarë duhet të ndodhë tjetër. Unë e konsideroj të mbyllur mbledhjen e sotme. Nesër do ftoja kryesinë e komisionit që të mblidhemi, të bëjmë shkresat përkatëse që tua dërgojmë gjithë institucioneve, garda, drejtorisë së Burgjeve, ministrit të Drejtësisë, ministrit të Brendshëm, kryetares së Parlamentit, Kryeministrisë që t’i tregojmë skandalin që ka ndodhur.
Ndrecaj: Mbledhjen nuk mund ta mbyllni ju..