Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është sulmuar ambasada e Malit të Zi në Beograd.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Partia Demokratike.
Sipas tyre, pjesë e turmave që sulmuan ambasadën ishin edhe grupe radikale me të shkuar kriminale, të cilët kanë kryer masakra gjatë luftrave në ish-Jugosllavi.
Sipas PD, Beogradi kërcënon seriozisht stabilitetin dhe paqen në rajon.
Për demokratët, sulmi ndaj ambasadës është provokim ndaj NATO-s dhe BE-së dhe kërkon ta nxjerrë Malin e Zi nga rruga euroatlantike.
Heshtjen e Tiranës zyrtare, e cila tashmë ka kryesimin e OSBE, PD e quan të papranueshme.
Deklarata e plotë e PD
Përveçse një akt i rëndë, shqetësim sjellin raportimet se në përbërje të turmave dhe në drejtim të tyre kanë qenë grupe dhe eksponentë radikalë me të shkuar kriminale, shumë prej tyre pjesë e forcave paramilitare serbe, që kanë kryer masakra gjatë luftrave në ish-Jugosllavi.
Etja e pashuar e qarqeve në Beograd për dominim kërcënon seriozisht stabilitetin e Ballkanit. Përpjekja e përsëritur për të destabilizuar Malin e Zi synon gjithashtu, të devijojë dhunshëm orientimin euroatlantik të këtij vendi.
Kjo veprimtari tejkalon konfliktet ballkanike dhe përbën një akt të hapur provokimi ndaj NATO-s, BE-së dhe paqes e stabilitetit në rajonin tonë.
Partia Demokratike e Shqipërisë mbështet plotësisht orientimin euroatlantik të Malit të Zi, mbështet vendimet e institucioneve të zgjedhura të këtij vendi në konsolidimin e sovranitetit të shtetit.
Është e papranueshme heshtja e qeverisë së Tiranës lidhur me këtë situatë të rënduar në Mal të Zi. Kreu i kësaj qeverie ka zgjedhur të mbyllë gojën përballë këtij përshkallëzimi të rrezikshëm të Beogradit kundër stabilitetit dhe sovranitetit të Malit të Zi. Kjo heshtje bëhet edhe më e rëndë, kur Shqipërisë i është lënë në dorë kryesimi i OSBE-së, organizatës që motiv të ekzistencës ka sigurinë dhe standartet demokratike te bashkëjetesës.
Partia Demokratike u bën apel organizmave ndërkombëtarë që të monitorojnë me vëmendje këtë situatë krize, të nxitur nga forca e vullnete që kërkojnë devijimin e Malit të Zi dhe krejt rajonit nga kursi euroatlantik, i përcaktuar nga vullneti i lirë qytetarëve të saj, drejt një kursi të kundërt, të dëmshëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, të imponuar nga vullneti i klikave të korruptuara, antidemokratike, me joshje totalitariste.