Albcontrol, kompania shtetërore që menaxhon trafikun ajror, ndodhet prej katër vitesh nën bllokimin e llogarive nga Eurocontrol, si pasojë e konfliktit mes qeverisë shqiptare dhe investitorit italian Francesco Becchetti. Sipas bilancit zyrtar, në fund të vitit 2024 shuma e paarkëtuar arriti në 13.5 miliardë lekë, ose rreth 135 milionë euro, ndërsa me interesat arrin në 13.7 miliardë lekë.
Në pasqyrat financiare theksohet se “gjatë vitit 2024 ashtu si edhe gjatë vitit 2023, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi en route dhe terminal charge për shkak të një vendimi të gjykatës së Brukselit për bllokimin e të ardhurave”. Bllokimi ka nisur që në vitin 2021, duke çuar çdo vit në rritje të shumës së papërfituar: nga 607 milionë lekë në 2020, në 2.9 miliardë në 2021, 6.7 miliardë në 2022, 10.5 miliardë në 2023 dhe 13.5 miliardë në 2024.
Këto të ardhura burojnë nga pagesat e kompanive ajrore për ulje, ngritje dhe mbikalime, të cilat administrohen përmes Eurocontrol, organizatë paneuropiane me seli në Bruksel. Deri në 2024, ato figuronin si “llogari të arkëtueshme”, por tashmë janë klasifikuar si “klientë në pritje”.
Në të njëjtin vit, Albcontrol raportoi 3.6 miliardë lekë të ardhura, 9% më shumë se në 2023 falë rikthimit të aktivitetit ajror pas pandemisë. Megjithatë, shpenzimet e personelit u rritën me 47%, duke arritur në 1.47 miliardë lekë.
Për të mbuluar mungesën e likuiditeteve, kompania mori kredi dhe ndihma shtetërore. Në fund të 2024-ës, ajo kishte një principal kredie prej 7.4 miliardë lekësh (74 milionë euro), i pashlyer që nga viti 2023. Vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor i ka dhënë 421 milionë lekë hua, shlyerja e së cilës është shtyrë për gjysmën e parë të 2025-ës. Po ashtu, qeveria ka ofruar 3 miliardë lekë mbështetje financiare me akt normativ në dhjetor 2023, që duhet kthyer me këste gjashtëmujore nga korriku 2025 deri më 2026. Gjithashtu, janë dhënë edhe 4 miliardë lekë mbështetje nga Asambleja e Aksionarëve në 2022 dhe 2023.
Raporti financiar thekson se gjatë vitit 2024 nuk është shlyer asnjë këst i kredive dhe gjendja e principalit ka mbetur e pandryshuar, sipas Monitor.
Konflikti me Becchetti nisi në qershor 2015, kur iu sekuestruan asetet në Shqipëri dhe u mbyll Agon Channel. Më pas, çështja përfundoi në Arbitrazh, ku në vitin 2020 investitori italian fitoi një kompensim prej 110 milionë eurosh. Në prill 2023 ai fitoi përfundimisht përballjen me qeverinë shqiptare dhe kërkoi ekzekutimin e vendimit përmes bllokimit të fondeve të shtetit jashtë kufijve, përfshirë llogaritë e Albcontrol në Eurocontrol.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në fund të vitit 2024 qeveria shqiptare përballet me një faturë prej gati 180 milionë eurosh nga arbitrazhet ndërkombëtare, ku rreth 60% i përket çështjes Becchetti. Financat e njohin këtë detyrim si “kontingjent”, pra si shpenzim të mundshëm që mund t’i ngarkohet buxhetit të shtetit nëse vendimet përfundimtare dalin në favor të investitorëve.