Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje forcave politike në Kosovë që të respektojnë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe të përshpejtojnë procesin e konstituimit të Kuvendit.
Sipas një deklarate të Zyrës së BE-së në Kosovë, vendimi i gjykatës përfaqëson një “sqarim të rëndësishëm” që duhet të shërbejë si udhërrëfyes për tejkalimin e bllokadës institucionale.
“Nuk ka më kohë për të humbur,” nënvizon deklarata, duke kërkuar nga partitë që të gjejnë kompromiset e nevojshme dhe të procedojnë me emërimin e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese urdhëroi që konstituimi i Kuvendit të përmbyllet brenda 30 ditëve dhe që kreu i legjislativit të zgjidhet përmes votimit të hapur. Ajo vendosi gjithashtu se një kandidat nuk mund të votohet më shumë se tre herë, duke i dhënë fund praktikës së përsëritur të votimeve pa rezultat.
Ky vendim është pritur pozitivisht nga partitë që në legjislaturën e kaluar ndodheshin në opozitë, si PDK, LDK dhe AAK, të cilat e kanë cilësuar si një fitore të demokracisë dhe kushtetutshmërisë.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, e ka kundërshtuar vendimin, duke e cilësuar si të njëanshëm dhe arbitrar.
Përplasja politike ka ndalur formimin e institucioneve të reja, me Vetëvendosjen që deri më tani ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit. Kjo kandidaturë nuk ka marrë mbështetjen e partive të tjera, të cilat e refuzojnë për shkak të qëndrimeve që i cilësojnë si përçarëse.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka vepruar në kundërshtim me aktgjykimin e mëhershëm të datës 26 qershor.
Të gjitha seancat e zhvilluara nga 27 qershori deri më 26 korrik janë shpallur të pavlefshme. Gjykata ka urdhëruar rifillimin e seancës konstituive në pikën ku kishte mbetur më 8 prill, konkretisht te votimi i hapur për kryetarin e Kuvendit.
Kriza e tanishme politike ka ndalur formimin e Qeverisë së re, pasi asnjë parti nuk ka siguruar shumicën për të qeverisur e vetme.
Vetëvendosje i ka 48 mandate në Kuvend, por i nevojiten të paktën 61 vota për të emëruar kryetaren e Kuvendit, hap ky i domosdoshëm për krijimin e qeverisë së re.