“Gënjeshtra europiane”. Kjo është tema që është diskutuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Real Story” në News24 nga njohës të integrimit dhe nëse do të vazhdojë procesi i zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Eksperti i çështjeve të integrimit Gledis Gjipali komentoi artikullin e “Reuters” i cili thotë se Bashkimi Europian nuk bie me dakord për t’u dhënë garanci vendeve të Ballkanit Perëndimor se një dite do të jenë pjesë e Unionit.
“Reuters” shkroi se ka folur me katër diplomate europianë si edhe ka parë një dokument të brendshëm që konfirmon këtë qëndrim. Gjipali e cilëson një lajm jo pozitiv, por jo fatal, pasi sipas tij procesi vazhdon.
“Sigurisht që ka të vërteta, jo vetëm për faktin që është agjenci që nuk lëshon lajme për sensacion, por edhe për faktin që nuk u pasua me ndonjë përgënjeshtrim. Është lajm jo pozitiv sigurisht, por nuk është një lajm fatal, nuk është se u ndërpre këtu procesi. Nuk është pozitiv sepse vetë vizita jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha në vendet e Ballkanit Perëndimor ishte e rëndësishme për të ritheksuar dhe njëherë angazhimin europian, por po të shohim fokusin, si vizita dhe samiti është më i fokusuar tek fondet e BE, tek ajo ndihmë që po jep për ringritjen pas pandemisë. Ka një fokus më shumë tek ndihma konkrete që BE po e jep duke e lënë pak në hije dimensionin politik që është shumë i rëndësishëm”, tha ai.
Pati një ide të tillë sidomos me ardhjen e presidentit Macron, i cili hodhi dhe ide të tjera për Europën, që Europa aktuale nuk po funksionon. Diagnoza e Macron ishte e saktë, por ka shumë fjalë, retorikë por asnjë iniciativë konkrete me një dinamikë zhvillimi për institucionet e BE. Në këtë kuadër e shoh të dobët Francën në krahasim me Gjermaninë, me pozicionin që ka, me fuqinë ekonomike për të ndikuar apo për të dhënë drejtime të ndryshme në orientimin e BE. Ka një boshllëk me largimin e Merkel, që ka disa muaj që ndihet, por nuk është plotësuar dot nga Macron dhe kjo është bërë e dukshme dhe pas refuzimit që erdhi me metodologjinë e zgjerimit. Nuk mendoj në një të ardhme afatshkurtër që Franca të marrë frerët e BE-së”, deklaroi Gjipali.