Mëngjesin e 17 majit me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, u shemb godina e Teatrit Kombëtar.
Ky vendim është pasur me dy protesta të njëpashnjëshme, të cilat është përdorur edhe dhuna policore ndaj qytetarëve.
Nga ana tjetër opozita ka mbështetur protestat dhe ka thënë se tashmë do të përkrah çdo tubim të qytetarëve, pasi sipas tyre është kaluar vija e kuqe, teksa pritet që protesta e radhës të zhvillohet nesër në orën 17:30.
Kryebashkiaku Erion Veliaj prezantoi dje projektin që do të ndërtohet me taksat e qytetarëve i realizuar nga arkitekti Bjarke Ingels.
Mirëpo, sipas “Panorama.com.al” ky projekt nuk është i panjohur për publikun shqiptar, pasi është prezantuar për herë të parë për qytetarët që në marsin e vitit 2018-të, pasi kryeministri Rama deklaroi në një intervistë mbrëmjen e djeshme se ajo që është paraqitur në mars 2018 dhe është thjesht një projekt-ide dhe se në vijim do të punohet me arkitektin për detajimet që pritet të konkludohen në shtator.
Por për projektin në fjalë, që nga kryeministri cilësohet si ide, Bashkia Tiranë ka paguar oponencën teknike që në nëntor 2019, sipas të dhënave të publikuara nga siti “Open Spending Data”.
Pra, edhe pse nuk e ka pasur në pronësi territorin e Teatrit dhe pa ndonjë tender a garë publike për përzgjedhjen e projektit fitues, nga Bashkia Tiranë janë paguar 1.5 milionë lekë në adresë të Institutit Kombëtar të Ndërtimit që ka bërë oponencën teknike të projektit.
Në 2018-ën, ishte firma “Fusha Sh.p.k” që kishte paraqitur një propozim të pa kërkuar për të ndërtuar Teatrin Kombëtar dhe në hapësirën tjetër pas tij të vazhdonte me ndërtimin e disa kullave, duke qenë se pronari i kësaj firme zotëronte një sipërfaqe toke në atë zonë dhe kishte shprehur vullnetin për ta zhvilluar.
Projekti u prezantua në 12 mars të 2018- ës nga Rama dhe arkitekti danez, Bjarke Ingels, i cili shpalosi idenë e tij për mënyrën e ndërtimit të godinës dhe zhvillimit të të gjithë hapësirës.
Në funksion të këtij projekti, u hartua dhe miratua në Kuvend edhe një ligj special për të ndërtuar Teatrin e ri, që u kontestua nga opozita, por edhe nga Presidenti Meta, me pretendimin se favorizonte firmën “Fusha” në procedurat e tenderimit.
Kreu i vendit e çoi këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese dhe në korrik të vitit 2019, Gjykata është përgjigjur se e ka marrë në shqyrtim çështjen, por vendimmarrja vijon të mbetet pezull, për shkak të mungesës së kuorumit të kësaj gjykate.
Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, në një intervistë për Report Tv në shtator të 2019 deklaroi se deri në atë moment nuk kishte asnjë projekt final për godinën e re të Teatrit Kombëtar.
“U arrit një marrëveshje me Veliajn dhe një pjesë të komunitetit që ishin në lëvizje, me sindikatën ku u bë një marrëveshje me Altin Bashën, Arben Derhemin, që nuk do preket, madje u bë një ligj i veçantë. Është ngritur një komision, i cili negocion me firmat që do të futen në konkurrim. Ai nuk është projekti definitiv, është një nga konkurruesit”, theksonte Çuli.
Këtë pretendim për garë e kishte theksuar edhe kompania arkitekturore, BIG, dhe Bjarke Ingels, i cili aso kohe dekolaronte se ishte ftuar nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj për të punuar për një projekt për Teatrin që në vitin 2016.
Pas këtyre deklaratave për një projekt, që kishte rezultuar fitues në një garë, ku kishin qenë edhe rivalë të tjerë, në shkurt 2020, qeveria dhe Bashkia e Tiranës vendosën që të tërhiqen nga plani për të ndërtuar Teatrin me formulën PPP.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka deklaruar se vendimi ishte marrë pas kërkesave shtesë të aktorëve në lidhje me teknologjinë dhe aspekte teknike që do duhej të kishte Teatri i ri dhe që firma private nuk mund t’i plotësonte.
Ajo që mbetet e paqartë në këtë histori, është se si një projekt i paguar nga firma “Fusha” i është dhënë bashkisë.