Banka e Shqipërisë njoftoi të martën se ka blerë 270.5 milionë euro në tregun e brendshëm valutor vetëm për tremujorin e tretë të vitit.
Sipas informacionit nga Banka Qendrore, në ankandet e planfikuara me qëllim rritjen e rezervës valutore u blenë 94.4 milionë euro. Ndërsa shuma e blerjeve direkte, me qëllim për të frenuar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit euro-lek ishte edhe më e madhe, me gjithsej 176.1 milionë euro.
Banka e Shqipërisë i nisi blerjet direkte të valutës qysh në muajin maj dhe i vazhdoi ato deri në fillim të muajit gusht. Më pas, operacionet e blerjes direkte të valutës rifilluan në tremujorin e katërt të vitit, por megjithatë vlerësohet se blerjet kanë qenë më të ulëta krahasuar me tremujorin e tretë.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2024 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej më shumë se 542 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.
Kjo është me diferencë të madhe vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit.
Pjesa më e madhe e kësaj shume, rreth 58% ishin blerje direkte me qëllim kontrollin e kursit të këmbimit, ndërsa pjesa e mbetur prej 42% ishin blerje të kryera nëpërmjet ankandeve, në kuadrin e objektivave të lidhura me rritjen e rezervës valutore.
Pasi inflacioni në fillim të këtij viti ra poshtë objektivit prej 3%, Banka Qendrore vendosi të ndërhyjë në tregun valutor, duke tërhequr një pjesë të ofertës së madhe të euros dhe duke rritur ofertën monetare të lekut.
Pavarësisht blerjeve të mëdha të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit mes euros dhe lekut ka vijuar rënien këtë vit, duke prekur rekorde të reja historike, pranë nivelit të 98 lekëve. Në terma mesatarë, sipas Bankës së Shqipërisë, për 11-muajt e vitit 2024, kursi i këmbimit të euros kishte nivelin e 100.9 lekëve, në rënie me 7.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Duke patur parasysh shumën e madhe të blerë nga Banka e Shqipërisë, është e qartë se në mungesë të këtyre blerjeve kursi i këmbimit do të kishte pësuar një rënie edhe më të madhe.
Banka e Shqipërisë ka planifikuar një rritje të mëtejshme të blerjeve të valutës në vitin 2025, të paktën në pjesën që lidhet me ankandet për të rritur rezervën valutore.
Ajo synon të blejë përmes ankandeve 270-350 milionë euro, ose 20 milionë euro më shumë krahasuar me objektivin e vitit 2024, si në intervalin e poshtëm, ashtu edhe në atë të sipërm.
Gjatë vitit 2025, janë programuar gjithsej 22 ankande për blerje valute, që do të zhvillohen mes muajve shkurt dhe dhjetor. Përqendrimi më i lartë i blerjeve parashikohet në sezonin veror, kur edhe oferta valutore është më e madhe.
Shuma e planifikuar për të blerë në raundin e parë në secilin ankand do të jetë në intervalin midis pesë dhe dhjetë milionë eurove, shumë kjo e njëjtë me ankandet e vitit 2024. Megjithatë, rregulloret i lejojnë Bankës së Shqipërisë të kryejë edhe blerje në një raund të dytë, me kursin mesatar të blerjeve në raundin e parë./ Monitor