Një auditim tematik i zhvilluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi disponibilitetin e barnave për trajtimin e sëmundjeve tumorale ka nxjerrë në pah problematika serioze në sistemin shëndetësor. Përveç mungesës së barnave antitumorale, skadencës së tyre dhe shkeljeve të tjera të konstatuara më herët, raporti evidenton edhe mungesën e pajisjeve të specializuara për përgatitjen e tyre.
Sipas raportit, një nga gjetjet kryesore lidhet me mungesën e pajisjeve të specializuara dhe të automatizuara për përgatitjen, dozimin dhe përzierjen precize të barnave citostatike. Auditimi thekson se kjo situatë e bën procesin të varur nga ndërhyrja manuale e personelit, duke rritur rrezikun për devijime në sasi, kontaminim të mundshëm apo gabime në përzierje.
“Nga auditimi i kryer në Sektorin e Kapave në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, u konstatua se ky sektor disponon vetëm pajisje manuale dhe jo pajisje të specializuara dhe të automatizuara për përgatitjen, dozimin dhe përzierjen precize të barnave citostatike.
Mungesa e automatizimit e bën procesin plotësisht të varur nga ndërhyrja manuale e personelit, çka rrit ndjeshëm mundësinë për devijime në sasi, kontaminim të mundshëm të përgatitjeve, apo gabime në përzierje që nuk janë lehtësisht të gjurmueshme dhe mund të sjellin mungesë të efikasitetit terapeutik”, evidentohet në auditimin e KLSH-së.
Raporti vëren gjithashtu se pajisjet teknike të sektorit nuk janë mirëmbajtur apo kalibruar që nga momenti i futjes në inventar. Sipas KLSH, mirëmbajtja dhe kalibrimi periodik do të garantonin funksionim të saktë dhe të besueshëm, brenda parametrave teknikë të paracaktuar.
“Për më tepër, nga informacioni i vendosur në dispozicion, rezulton se pajisjet teknike të sektorit nuk janë mirëmbajtur apo kalibruar që nga momenti i futjes së tyre në inventar, proces ky që do të garantonte funksionimin e tyre në mënyrë të saktë, të besueshme dhe brenda parametrave të paracaktuar teknikë”, thuhet në raport.
Në përfundim të auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon marrjen e masave konkrete nga drejtoria e QSUNT-së për adresimin e problematikave të konstatuara. Sipas rekomandimit, duhet të ngrihet një grup pune për të kryer vlerësimin teknik të pajisjeve në Sektorin e Kapave dhe për të rishikuar procedurat e mirëmbajtjes dhe kalibrimit.
“Drejtori i Përgjithshëm i QSUNT-së të marrë masa për ngritjen e një grupi pune për vlerësimin teknik të pajisjeve të Sektorit të Kapave dhe rishikimin e procedurës për mirëmbajtjen dhe kalibrimin periodik të pajisjeve ekzistuese duke vlerësuar nevojën për automatizim procesi”, rekomandon KLSH.







