Atentati me eksploziv/ Policia shoqëron 6 persona, sekuestrohen tabulatet telefonike (DETAJE)

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

51-vjeçari Preng Gjini, babai i dy fëmijëve, arriti që t’i shpëtojë atentatit ndaj tij me rreth 500 gram C4, shpërthim i cili tronditi kryeqytetin mbrëmjen e djeshme, si dhe plagosi disa kalimtarë.

Shpërthimi i fuqishëm i ka lënë atij plagë të mëdha dhe shenja në krahë dhe fytyrë, por Gjini ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shënjestra e atentatit, Preng Gjini, jetonte i fshehur prej kohësh, ndërkohë që vetëm një vit më parë atij i kishin vrarë edhe vëllain, Armando Gjinin në Rrëshen.

Ndërkohë Policia ka shoqëruar edhe kushëririn e tij dhe 6 persona të tjerë.

Mësohet se të shoqëruarit janë familjarë të familjes Reçi në Rrëshen dhe persona të tjerë nga Tirana e Durrësi. Ata janë shoqëruar nga Rrësheni e Durrësi për në kryeqytet për llogari të hetimeve që po kryhen nga Drejtoria e Tiranës dhe prokurori Leonard Filopati.

Gjithashtu, Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë dhe tabulatet e katër antenave celulare në zonë, për të gjetur se cili është personi që ka kryer thirrjen hyrëse dhe ka aktivizuar lëndën plasëse në makinën me të cilën udhëtonte Prend Gjini.

Deri më tani pista kryesore e hetimeve është ajo e hakmarrjes dhe vazhdimësia e disa ngjarjeve kriminale të nisura në Rrëshen, mes familjes Gjini e Reçi, ngjarje që kanë vijuar dhe jashtë vendit. Në tre vite, nga zinxhiri i kësaj ngjarjeje janë vrarë 5 persona.

Gjini jetonte në Tiranë, në një banesë që nuk e dinte askush, pasi kishte marrë masa për sigurinë e tij, pas vrasjes së të vëllait dhe Kastriot Reçit.

Mësohet se familja e tij jeton në SHBA, ndërsa autorët e atentatit e kanë vëzhguar Preng Gjinin për muaj me radhë. Distanca e vetme ku udhëtonte Gjini ishte rruga që edhe dje përshkoi për të shkuar te kushëriri i tij.

Spas kronologjisë së ngjarjes, pak minuta para atentatit, Preng Gjini ka qenë jashtë pallatit të tij dhe më pas ka lëvizur me automjetin e kushëririt.

Dyshohet se makinës i është vendosur në gomën e djathtë në anën e pasagjerit, 500 gramë eksploziv C4.

51-vjeçari Preng Gjini, lëvizte gjithmonë me kushëririn e tij dhe qëndronte si pasagjer, por vetëm ditën e djeshme e ka marrë vetë makinën si shofer.

Ka qenë pikërisht kjo lëvizje që mund t’i ketë shpëtuar jetën 51-vjeçarit nëse ky i fundit do të ishte pasagjer, pasi eksplozivi ishte vendosur në anën e pasagjerit.

Sipas mjekëve gjendja e tij është jashtë rrezikut, ka dëmtime por jo të përhershme, në gjymtyrë dhe pjesë të tjera të trupit.

 

Shpërndaje
Share.

Komento