Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Shkodrën, duke kthyer mëngjesin në një skenë tragjedie. Viktima e atentatit me armë zjarri është identifikuar si Armando Pali, punonjës i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në Shkodër dhe më herët, anëtar i Këshillit Bashkiak.
Pali humbi jetën pas një breshërie plumbash kallashnikovi që u hap në drejtim të tij dhe të shokut të tij, Erogen Vaso, i cili mbeti i plagosur. Sulmi ndodhi pranë shkollës “Kole Idromeno”, në një zonë të populluar, duke rrezikuar jetën e qindra qytetarëve dhe nxënësve që ndodheshin aty pranë. Ngjarja ka shkaktuar panik dhe frikë tek banorët, ndërsa rrugët e qytetit u kthyen në një skenë lufte të hapur.
Policia e Shkodrës njoftoi se autori i dyshuar, Rakip Gila, 28 vjeç, është arrestuar pas një operacioni të shpejtë. Ai u kap brenda pak orësh dhe ndodhet në komisariat, ku po merret në pyetje mbi motivet e këtij akti të rëndë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se, përveç Palit dhe Vasos, nga të shtënat kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë.
Ende nuk dihet nëse atentati lidhet me detyrën e viktimës si punonjës i IMT apo me çështje të tjera personale dhe kriminale. Hetimet po vijojnë në disa pista, ndërsa familjarët dhe miqtë e Palit janë përfshirë në dhimbje e tronditje të thellë.
Shkodra është përfshirë sërish nga një valë dhune e frikshme, ku një punonjës shteti bie pre e plumbave në mes të qytetit, duke lënë pas jo vetëm një bilanc tragjik, por edhe ndjenja pasigurie për jetën e qytetarëve të saj.