“Askush nuk ka nevojë të ngutet”, Veliaj shtyn deri më 17 maj afatin e aplikimeve për kreditë e buta

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Bashkia e Tiranës do të shtyjë deri më 17 maj afatin e aplikimit për kredi të buta.

Lajmin e ka dhënë kryebashkiaku Erion Veliaj, në një lidhje telefonike me “News24”.

Veliaj tha se për momentin duhet menaxhuar situata me koronavirusin dhe askush nuk ka nevojë të ngutet.

“Aplikimin për kreditë e buta kemi vendosur që ta shtyjmë me dy muaj, pra nga 17 marsi do të jetë 17 maji dita e fundit e aplikimit për kreditë e buta. Sigurisht, nëse kriza do të vazhdojë, do të duhet ta moderojmë edhe atë vendim; pra askush nuk ka nevojë të ngutet apo të vijë në Bashki, kjo është diçka që pret. Ajo që nuk pret është higjiena dhe menaxhimi i kësaj krize. Ne kemi interes t’i japim, jo t’i mbajmë kreditë e buta. Kështu që për sa kohë që bashkia e ka paguar interesin, ne duam që sa më shumë familje të reja të përfitojnë nga ky proces”, deklaroi ai.

Më tej Veliaj shton, se bashkia po vijon me planin për ndërtimin e 600 shtëpive të reja në fshat të dëmtuara nga tërmeti dhe planifikimin e zonave të reja urbane.

“Një proces tjetër që jemi duke e vazhduar është procesi i kompensimit dhe i rindërtimit të shtëpive pas tërmetit. Ka qenë një porosi e veçantë e kryeministrit, që të gjitha bashkitë të funksionojnë me dy skuadra, pra një skuadër që merret me emergjencën aktuale që në Bashkinë e Tiranës përveç kryetarit dhe drejtuesve kryesorë, është Zjarrfikësja, Policia Bashkiake, transporti, ujësjellësi, dhe Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, bashkë me Shërbimet Sociale, që çojnë drekat dhe darkat në çdo familje në nevojë, kryesisht tek të moshuarit. Por ka edhe një skuadër tjetër që po vazhdon punën normale, që përveç kredive të buta, ka të bëjë me ndërtimin e 600 shtëpive të reja në fshat që janë dëmtuar prej tërmetit, dhe planifikimin final të lagjeve të reja për të tjerët që në zonat urbane mund të kenë të dëmtuar apo humbur shtëpinë e tyre prej tërmetit. Duam të mendojmë, dhe po e imagjinojmë Tiranën edhe mbas kësaj situate. Sigurisht që ne do ta fitojmë këtë betejë, e sigurisht që kjo flamë një ditë do mbarojë dhe do mundet. Kështu që duhet të mendojmë që tani se çfarë do të bëjmë në ditën e parë kur të kthehemi në normalitet”, u shpreh Veliaj.

Shpërndaje
Share.

Komento