Kreu i Kadastrës, Artan Lame ka deklaruar ditën e sotme hapjen e aplikimeve për drejtues të rinj në drejtoritë rajonale por edhe për ato të kryeqytetit. Lame nuk i ka kursyer as kritikat ndaj krerve të Kadastrës. Ai ka thënë se do të zëvendësohen drejtuesit e komanduar, si edhe ata që nuk kanë justifikuar punën e tyre.
Lame thotë se zyrat nuk janë në lartësinë e duhur për sa i përket shërbimit të qytetarëve, pasi i konsiderojnë këto të fundit si “bezdisje”. Gjithashtu ai ka pasur edhe një mesazh të qartë për eprorët në këto drejtori duke iu thënë se “nuk janë vendosur në atë pozicion se kanë çliruar Shqipërinë, por që të organizojnë punën që iu është caktuar”.
“Me gjithë dëshirën time për ta shmangur Kadastrën Shqiptare nga përdorimi politik, me ç’duket ky qenka mision i pamundur. Por gjatë kësaj fushate kjo akuzë arriti në kufijtë e absurdit, duke e akuzuar Kadastrën thjesht e qartë pse po kryen detyrën e saj. Pse po kryejmë misionin për të cilin jemi krijuar? Po japim leje legalizimi? Pse i kryejmë shërbime kadastrale publikut? Pse po japim çertifikata toke?
Nga ana tjetër, pikërisht fakti i thirrjes denoncuese për institucionin, flet për suksesin e tij në kryerjen e detyrës për të cilën është krijuar.
Megjithatë do dëshiroja t’ia lija organeve kompetente ndjekjen e këtyre akuzave surreale.
Jam i bindur që tani që na dëgjojnë janë qindra mijëra qytetarë që shprehen të kënaqur me shërbimet tona. Kadastra ofron rreth 1.1 milion shërbime në vit), por janë edhe mijëra qytetarë të tjerë që rrudhin buzët të pakënaqur duke më dëgjuar.
E pranoj publikisht se në zyrat tona në shumë raste nuk janë në lartësinë e duhur, veçanërisht në aspektin e shërbimeve ndaj qytetarëve”, deklaroi Lame.
Ai tha se ka zvarritje të ankesave të tyre, ka mungesë profesionalizmi në zbatimin e tyre, ka trajtim të qytetarëve si bezdisje, ka mungesë vullneti për t’u përfshirë në problematikat e vështira si edhe shumë të tjera.
“Ka specialistë që nuk duan e nuk duan ta kuptojnë që shmangja e një qytetari sot, nuk është zgjidhje. Nesër ai qytetar sërish do të paraqitet derisa të gjejë zgjidhje.
Ka drejtues dhe këtu ju drejtohem në veçanti atyre, që nuk duan të kuptojnë që vendosja e tyre në ato poste nuk është bërë se kanë çliruar Shqipërinë, por se iu është besuar se do të dinë të drejtojnë dhe organizojnë punën në drejtoritë ku ata drejtojnë.
Në këto kushte dëshiroj të shpall sot hapjen e thirrjes për drejtues të rinj në një pjesë të madhe të zyrave rajonale të Kadastrës. Jam i bindur se gjithë llafollogët e fejsbukut do ulen të dekurajojnë këdo që do dëshirojë të përfshihet në këtë thirrje. Mos u çudisni, e kanë bërë gjithmonë. Mos u tutni! Ti djalë apo vajzë që ke mbaruar universitetin për inxhinjeri, juridik për ekonomik; Ti specialisti që ke vite që punon në administratë dhe mendon se ka ardhur koha të avancosh në karrierë; Ti kandidati për deputet, që e dije se nuk do fitoje për shkak të numrit në listë, por që je i bindur në kapacitetin tend; Ti eksperti i fushës, që mendon se e di sesi mund të gjejnë zgjidhje problemet e stërkomplikuara të pronës në Shqipëri, por që nuk ke patur rast të provosh veten; Mos u tutni, ejani dhe aplikoni!”, apeloi Lame.
Ai tha më tej se pas kësaj thirrjeje, do të vijojë një thirrje e dytë, për specialistë të niveleve të tjera, shefa sektorësh e kështu në vijim. “Kadastrës Shqiptare tashmë i janë ngarkuar disa funksione të reja që dikur i kanë patur institucione të tjera. Arsyeja ishte e thjeshtë: U pa që ky institucion me gjithë vështirësitë e rritjes dhe të ngritjes, por jepte rezultate. Por këto funksione të reja do të kenë nevojë për shumë specialist të tjerë për të cilët më pas do të bëjmë thirrje më të specializuar.
Por le të përqëndrohemi sot tek thirrja për drejtues të rinj. Si shërbëtor i vjetër i shtetit, ju them se nuk bëhen legalizimet me ushtarë partie, nuk i shërbehet 1 milion qytetarëve në vit me qoka partie, por me punë dhe specialistë. Pastaj, nëse rezultati çon ujë në plotësimin e premtimit të Partisë Socialiste për zgjidhjen e çështjes së pronës dhe të programit të qeverisë Socialiste, kjo nuk është njollë për neve, por medalje e merituar. Përsa i takon të gjithë aplikuesve, bujrum të gjithëve dhe… ja sheshi ja mejdani”, tha Artan Lame.