Kryeministri Rama i vendosur nën kritika nga një institucion (Presidenti Meta) për çështjet e humbura në Arbitrazhin Ndërkombëtar, përpiqet ta zhvendosë vëmendjen tek gazetarët. “Po ju gazetarët çfarë bëni, pse nuk shikoni a është e vërtetë kjo?”, pyeti kryeministri në një bashkëbisedim me gazetarët ditën e diel. Dhe më tej, ai deklaroi së qeveria nuk ka humbur asnjë gjyq në Arbitrazh.
“Në emër të fakteve, por kjo nuk është për autorin e akuzës, por për ju, ka disa kohë që është ngulur në opinion ideja që ne kemi humbur arbitrazhe. Ka disa kohë. Madje një pjesë e njerëzve mendojnë se ne kemi paguar edhe paratë e humbjeve. Po ju gazetarët çfarë bëni, pse nuk shikoni a është e vërtetë kjo?
Deri më sot që flasim, deri përpara kësaj mbledhjeje të paktë, nuk kemi ne asnjë proces në Arbitrazh të përfunduar, ku ne të kemi humbur. Thjesht nuk kemi. Kemi skuadra të përbashkëta të Avokaturës së Shtetit, që punojnë për t’i zbrampsur këto vendime, që janë të natyrës paraprake”,- deklaroi Rama.
“Mirë ata që e kanë për të detyrë ndaj popullit që mos t’ia kërcasin kokoshkës, por ju duhet të bëni kërkime. Janë gënjeshtrat më të mëdha. Kemi fituar procese në Arbitrazhe, por nuk kemi humbur deri më tani as edhe një. Vazhdojnë përpjekjet në rrugë legale për t’i zmbrapsur. Nuk duhen bërë komente në Arbitrazh, sepse çdo koment konsiderohet shkelje e procesit zgjedhor. Llogariteni vetë autorin me këtë fakt dhe imagjinojeni se sa shumë e ka mendjen te Shqipëria”,- tha Rama.
37 çështje të hapura kundër Shqipërisë
Në fakt situata e Shqipërisë në Arbitrazh është dëshpëruese. Aktualisht janë 37 dosje aktive, që rrezikojnë buxhetin e shtetit më qindra milionë euro dëme. Çështja e fundit e hapur në Arbitrazh është ajo e paraqitur nga kompania Kurum. Gjykata regjistroi një kërkesë për institucionin e procedurave të arbitrazhit më 23 shtator 2020. Durrës Kurum Shipping SH. P.K, ankohet për prishjen e parregullt të kontratës që kishte me qeverinë shqiptare për terminalin e kontenierëve.
Humbjet e qeverisë në Arbitrazh janë evidentuar edhe në raportin e fundit të KLSH-SË. “Që nga viti 2011, janë 10 vendimet e formës së prerë të arbitrazhi ndërkombëtar kundër Shtetit Shqiptar. Vlen të theksojmë se, peshën me të madhe të këtyre vendimeve e ka, çështjen “Francesco Becchetti”, zhvilluar pranë (ICSID) që ka dënuar Shqipërinë me vlerën 110 milion euro. Qeveria ka aplikuar për anulimin e këtij vendimi dhe Gjykata e ka pranuar aplikimin duke pezulluar përkohësisht zbatimin e tij”, raporton KLSH në buletinin vitit 2019.
Abuzime dhe arrogancë
Edhe pse qeveria deklaron se nuk i njeh vendimet, si në rastin Becchetti, futja në buxhet e kostove gjyqësore dhe rritja e interesave në pritje të vendimit, është një mungesë përgjegjësie e Ramës.
Një padi tjetër nga ato që peshojnë 100 milionë dollarë e lart, është ankesa e kompanisë AKTOR në Arbitrazh. Përpara se çështja të shkonte në Arbitrazh, kishte një mosmarrëveshje mbi shumën e parave që Ministria e Transportit i detyrohej palës paditëse. Ishin rreth 11 milionë dollarë për segmentin e tretë dhe 25 milionë dollarë për segmentin e parë, që bordi i cili merrej me zgjidhjet miqësore, vendosi që pala shqiptare i detyrohej paditësit. Por arroganca e çoi çështjen në arbitrazh.
Cështjet e arbitrazhit janë edhe objekt korrupsioni në Avokaturën e Shtetit, ku paratë e buxhetit përdoren për të kënaqur studiot kliente të qeverisë, megjithëse nuk kanë sjellë rezultate në favor të Shqipërisë.
Raporti i KLSH-së, zbulon se Shqipëria “i fali”, në Arbitrazh kompanisë naftënxjerrëse “Bankers Petrolium”, 600 milionë USD, ndërsa do t’i duhet që t’i paguajë plot 57 milionë USD.
Me procedura të dyshimta nga Avokatura e Shtetit, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe nga kompania “Albpetrol”, shoqëria private arriti t’ia hedhë paq një gjyqi, ku rrezikonte plot 600 milionë USD, që shteti nuk ia njihte “Bankers” si shpenzime.
Ndërkaq, mësohet se AKBN i ka paguar studios ligjore vlerën prej 1.351.370.48 USD nga detyrimi total prej 1.358.421.54 USD, ndërsa vetë Albpetrol i ka paguar vlerën prej 46.527.09 USD nga detyrimi total prej 102.378.00 USD. “Kontraktimi i këtij shërbimi pa procedura konkurrimi, ka sjellë gjatë zbatimit të kontratës ka sjellë rritje të kostos së këtij shërbimi”.
Drejtuesja e Avoklatutës së Shtetit, Alma Hicka u largua për shkak të skandaleve që u zbuluan, por Rama e mbuloi me fjalët: “Alma u largua me dëshirën e saj, për arsye krejt personale”.
Nga auditimi i kryer në Avokaturën e Shtetit në vitin 2018, mbi përzgjedhjen e studiove ligjore të huaja për mbrojtjen e Shtetit shqiptar nga padite e dy kompanive të huaja në arbitrazhet ndërkombëtare, e konkretisht kompanitë AAGL dhe EFT, del se përzgjedhja e këtyre studiove në kundërshtim me ligjin duke sjellë si pasojë rritje artificiale të shpenzimeve buxhetore në shumën prej 3,740,000 euro.
Pra, cili është faji i gazetarëve? Ndoshta duhet të investigojnë më shumë se sa kushton në Arbitrazh arroganca e kryeministrit tonë.
/GazetaReforma.com/