Flodian Plaku, i njohur me disa identitete të tjera si Mamo, Serjani dhe me nofkën “Pole Qorri”, është vënë në pranga nga Forcat Operacionale të Vlorës, pas një periudhe të gjatë në kërkim.
Ai akuzohet si një nga tre atentatorët e vrasjes së ish-policit Gentjan Bejtja, ekzekutuar më 15 mars 2024 në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, pranë banesës së tij dhe në prani të familjes.
Operacioni i arrestimit u zhvillua në Orikum, ku RENEA dhe skuadra operacionale e Vlorës u angazhuan për kapjen e tij.
Në momentin e ndalimit, Plaku kishte me vete dy armë zjarri të gatshme për përdorim. Bashkë me të u arrestua edhe Julian Aliaj, një person me precedentë penalë për trafik droge në Itali, dhe i konsideruar bashkëpunëtor i Plakut.
E shkuara kriminale
Flodian Plaku rezulton i skeduar prej vitesh nga policia shqiptare dhe ajo italiane. Në vitin 2019 ai ishte arrestuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge si drejtues i një grupi kriminal që transportonte kanabis me gomone nga Shqipëria drejt Brindizit. Droga shpërndahej më pas në qytete të mëdha italiane si Roma, Napoli, Milano dhe Firenze.
Pas vrasjes së Gentjan Bejtjas, policia arrestoi brenda pak ditësh dy persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë: Ilir Beqaraj (i njohur edhe si Ilir Brahimi e Ilir Mançellari) dhe Edison Haxhiu. Ata u ndaluan pasi dyshohet se morën pjesë në atentat, dogjën mjetin e krimit dhe u larguan me një automjet tjetër, tip “Volkswagen Golf 7”.
Sipas të dhënave hetimore, autorët përdorën një “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë për të shkuar në vendin e ngjarjes dhe për t’u larguar më pas. Mjeti u dogj në fshatin Hasan, pranë Fushë-Krujës. Po atë ditë, hetuesit zbuluan se Plaku kishte hyrë në Serbi dhe ishte kthyer sërish në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit, pas vetëm 11 orësh qëndrimi jashtë.
Analizat e gjurmëve të gishtave dhe pamjet e kamerave të sigurisë çuan në identifikimin e automjetit tjetër, një “Golf 7” me targa AB960GG, në pronësi të Edison Haxhiut. Në të janë gjetur 12 gjurmë gishti, që çuan në identifikimin e të dyshuarve si pjesëmarrës në atentat.
Armët e sekuestruara gjatë arrestimit të Plakut do t’i nënshtrohet ekspertimit balistik, për të përcaktuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale, përfshirë atentatin ndaj Bejtjas. Burime pranë hetuesisë bëjnë me dije se ekzistojnë dyshime se Plaku kishte marrë porosi për vrasje të tjera, çka do të hetohet në vijim.
Gjykata e Tiranës ka vendosur më herët kalimin për gjykim të dosjes për vrasjen e Gentjan Bejtjas, ndërsa me arrestimin e Flodian Plakut hetimi pritet të zgjerohet, sidomos në drejtim të zbardhjes së motiveve të atentatit, që mendohet të jenë të lidhura me hakmarrjet e grupeve kriminale të zonës së Fushë-Krujës dhe Vlorës, ku përmenden emra si Ervis Martinaj, Indrit Dokle dhe Durim Bami.