Skip to content
Kryesore

Arrestohet 41-vjeçari turk për transaksione të paligjshme prej 1 milion euro

· 1 min lexim

Policia e Tiranës ka arrestuar një 41-vjeçar turk, Ferhat Karakus, i cili akuzohet për kryerjen e transaksioneve të paligjshme me vlerë mbi 1 milion euro përmes mashtrimit, në bashkëpunim me persona të tjerë.

Karakus përdori kartën e një shtetasi tjetër për të realizuar këto transaksione, duke mashtruar kompaninë “MasterCard”.

Këto veprime të paligjshme u zbuluan pas hetimeve dhe raportimeve nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.

I dyshuari kishte hapur një biznes të fruta-perimeve në Shqipëri dhe e kishte regjistruar atë në QKB për të kamufluar aktivitetin e tij kriminal.

Karakus përdorte një kartë të lëshuar në Belgjikë për të realizuar transaksionet, ndërkohë që komunikimet me persona të tjerë, të dyshuar për pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal, u zbuluan gjatë hetimeve në telefonin e tij.

Krimi kibernetik po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.