Ish-shefi i inteligjencës ushtarake së Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), dhe ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, Salih Mustafa, është arrestuar mëngjesin e sotëm.
Mustafa mësohet se është arrestuar në shtëpinë e tij nga Eulexi.
Familjarët e ish-shefit të Inteligjencës së FSK-së, kanë konfirmuar lajmin se Mustafa është arrestuar. Sipas familjarëve, bazuar në deklaratat e zyrtarëve të EULEX-it, Mustafa është nisur në drejtim të Hagës.
Gjatë nëntorit të vitit të kaluar, Salih Mustafa është intervistuar nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte gjatë luftës së Kosovës, 1998-1999.
Sali Mustafa ka udhëhequr një nga grupet e UÇK-së me emrin e njësitit BIA deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.
Mustafa ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që nga viti 1988, nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës.
Gjatë veprimtarisë, ishte arrestuar nga regjimi i Sllobodan Milloshevicit, në vitin 1993 dhe është dënuar me 5 vite burgim për organizim të kryengritjes së armatosur.
Në gusht të vitit 1997, pasi përfundon dënimin me burgim, Mustafa ishte angazhuar për organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obilicit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.