Pas “Lalit të Fiqve”, që më në fund ra në duart e drejtësisë, SPAK duhet të veprojë menjëherë për të kapur edhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë që kanë zhvatur pa mëshirë xhepat e qytetarëve. Nga bërthama e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës, dikur aktivistë kundër korrupsionit e sot mishërimi i tij më i pastër, e deri tek rrjeti i familjarëve dhe besnikëve të tij, secili ka gërryer nga një copë të madhe nga kocka e vendit.
Arbjan Mazniku, ish-nënkryetari i Bashkisë dhe krahu i djathtë i Veliajt, sot ministër Shteti për Qeverisjen Vendore në kabinetin e Ramës, mishëron të njëjtën shkallë korrupsioni si gjithë të tjerët. Si një vampir që thith gjakun e taksapaguesve, Mazniku ka grumbulluar një pasuri marramendëse. Ullishte 11,700 metra katrorë, ndërtesa 65 metra katrorë, apartamente 70 mijë euro, makina luksoze 21 mijë euro – dhe këto janë vetëm ato që ka deklaruar. Si zv.kryetar bashkie, Mazniku ishte arkitekti i vërtetë i skemave korruptive, nga organizata kriminale “5D” e deri tek tenderat e pistë.
Por lakmia nuk njohu kufij. Bashkë me Endri Fugën, krijuan edhe restorantin “The Home” në zemër të Tiranës, duke përdorur bashkëshortet e tyre, Marinela Lika dhe Besa Fuga, si fasadë ligjore. Përmes këtij biznesi të “pafajshëm”, fituan tendera 800 mijë euro nga Bashkia dhe Tirana DC. Madje, paturpësia shkoi deri aty sa organizonin darka zyrtare të Bashkisë në restorantin e tyre, duke i faturuar dyfish taksapaguesit.
Marinela Lika, njëkohësisht këshilltare e Ramës për Parlamentin dhe ish-koordinatore e “Mjaft”, është shembulli perfekt i transformimit nga aktiviste kundër korrupsionit në përfituese të tij.
Endri Fuga nga ana tjetër, spin doctor-i i Ramës që sot fshihet në Tajlandë, ka ndërtuar një industri të tërë propagande duke shpërdoruar miliona euro nga fondet publike. Si arkitekt i manipulimit të opinionit publik, ka ngritur një sistem të plotë kontrolli mediatik përmes presionit të reklamave dhe portaleve të financuara me taksat tona.
Me ushtrinë e tij të patronazhistëve dhe gazetarëve të paguar, jo vetëm menaxhonte imazhin dhe mblidhte vota gjatë fushatave, por kontrollonte çdo kritikë ndaj pushtetit. Ashtu si Veliaj që paguante mbështetës fallso t’i shkonin nga pas për një foto, apo për të fshirë komentet negative në rrjete sociale, njëjtë i ka përdorur edhe Fuga fondet publike. SPAK duhet të veprojë menjëherë për t’i kërkuar llogari për çdo qindarkë të vjedhur nga taksat e qytetarëve dhe për ta sjellë para drejtësisë.
Në këtë galeri korrupsioni qëndron edhe “reformatori” Fatmir Xhafaj, që sot mban leksione për drejtësinë ndërsa mbron dhëndrin e zhytur në korrupsion. I njëjti Xhafaj që u largua me turp nga Ministria e Brendshme në 2018 për shkak të vëllait Agron (Geron) Xhafaj, të dënuar me 7 vite burg për trafik ndërkombëtar droge. Edhe pse vëllai ishte dënuar që në 2012, Xhafaj e mbrojti për vite derisa skandali u bë publik dhe Rama nuk mundi ta mbante më në kabinet. Me ndihmën e Ramës, e kaloi edhe këtë ‘turizëm penal’ të vëllait, ashtu siç kishte kaluar edhe dy kallëzimet për korrupsion kur ishte ministër Drejtësie.
Rama e futi në fund të listës së PS për deputet në 2021, por falë Veliajt dhe organizatës “5D”, arriti madje dhe të futet në Parlament. Sot, kreu i Komisionit të Reformës në Drejtësi – sa ironike – del të mbrojë Veliajn duke akuzuar SPAK për proces “jo të drejtë”.
Dhëndri i tij, Ditjon Baboçi, ka qenë kasapi i Tiranës si drejtor urbanistike. Çdo leje ndërtimi që ka nënshkruar ka qenë një thikë në zemrën e qytetit. Nga skandali i hotelit në Barcelonë ku së bashku me Maznikun përfituan pagesa ngs Shkëlqim Fusha për akomodimin në një hotel luksoz në qershor 2018 në Barcelonë të Spanjës, e deri tek projekti famëkeq “Syri i Tiranës” ku shtoi 7 kate, Baboçi ka qenë një makinë e vërtetë vjedhje. Tani fshihet jashtë shtetit, por SPAK duhet ta gjejë dhe ta sjellë të përgjigjet për krimet e tij.
Arbi Veliaj, vëllai i ish-kryebashkiakut që u arratis në Austri sapo i doli emri në SPAK, është një tjetër grabitës me kollare që duhet vendosur para drejtësisë. Kompania e tij “Gogel” është shembulli më i qartë i kapjes së shtetit. Përmes kësaj kompanie, vëllai i kryebashkiakut ka krijuar një monopol të plotë në reklamat e kryeqytetit, duke kontrolluar çdo hapësirë publike dhe çdo media që blihet me reklama. Çdo kompani që merr tenderë nga Bashkia detyrohet të përdorë shërbimet e marketingut të “Gogel”.
“Gogel” bashkëpunon me klientë si One Albania, Vodafone, iQOS, Coca-Cola, ALBtelecom, OTP Bank, Air Albania, Big Market, Burger King apo Intersig, të cilët në këmbim kanë përfituar fonde të konsiderueshme nga Bashkia duke u shpallur fituese të shumë procedurave të prokurimit publik. Përmes marketingut të pikërisht këtyre kompanive, është bërë i mundur gjithashtu komandimi i një pjese të mirë të mediave të vendit.
Evente të mëdha të këtyre klientëve i janë besuar prej “Gogel” Fatjon Sallakut, i cili qëndron në prapaskenë me dosjen e eventeve. Sallaku është “i besuari” i transferuar strategjikisht nga Veliaj nga Ministria e Rinisë në Bashkinë e Tiranës si shef i Eventeve dhe Emergjencave. Nën drejtimin e tij, ky departament u shndërrua në një makineri të vërtetë për blerjen e mbështetjes publike. Pseudo-artistët që fillimisht protestonin, tani gjendeshin në listëpagesa gjithnjë e më të majme të eventeve të bashkisë.
Çdo festival, çdo aktivitet kulturor u kthye në mundësi për të forcuar këtë rrjet patronazhi dhe për të shpërblyer besnikërinë ndaj kryebashkiakut, duke mundësuar vjedhje në shifra marramendëse të parave publike.
SPAK nuk mund të ndalet me Veliajn. Këta grabitës me kollare, nga ish-aktivistët e kthyer në oligarkë e deri tek rrethi familjar i korruptuar, duhen rreshtuar të gjithë pas hekurave. Provat janë aty, nga dëshmitë e rreme e deri tek milionat e fshehura në parajsa fiskale.
Të lartpërmendurit janë vetëm “dora e parë” në thesin e të korruptuarve që presin të rreshtohen në SPAK. Drejtësia do të trokasë shpejt edhe për “dorën e dytë”: drejtorët e ndërtimit në Bashki, ata të dosjes “5D” pas hekurave apo drejtorët “e besuar” të Veliajt si Taulant Tusha. Njëjtë edhe për ata që protestuan për Lali Euron para SPAK, por edhe për ata që “u zhdukën” e ranë në heshtje.
Drejtësia s’mund të bëjë pazare. Mjaft me arratisje luksoze në Tajlandë e Austri! Është koha që bërthama e korrupsionit të përballet me drejtësinë që aq shumë e ka përqeshur!
/gazetareforma.com