Sa shpejt që ndryshojnë gjërat! Jo shumë kohë më parë, analistët mendonin se ekonomia globale po rritej me vrull; tani ata janë të shqetësuar për një recesion të thellë, të shkaktuar nga pasojat e trazirave bankare.
“Kaluam nga mungesa e uljes, në një ulje të vështirë”, shkroi Torsten Slok nga firma Apollo Global Management.
Analistët në Bankën JPMorgan Chase, thonë se “një ulje e butë tani duket e pamundur, ndërkohë që avioni po has turbulenca (mungesë besimi në treg) dhe motorët janë gati të fiken (huadhënie bankare)”.
Dëshmitë përpara kaosit tregonin se PBB-ja globale po rritej me një normë vjetore prej 3%, shkruan The Economist. Në shtetet e pasura, tregjet e punës kishin marrë vrull të madh. Deri tani ka prova të pakta të një ndryshimi në të dhënat “në kohë reale” drejt rritjes më të ngadaltë.
Një “tregues i aktivitetit aktual”, i hartuar nga Banka Goldman Sachs, dhe i nxjerrë nga një sërë masash me frekuencë të lartë, duket i qëndrueshëm.
Indekset e menaxherëve të blerjeve treguan përmirësim të lehtë në mars. Matjet javore të PBB-së të prodhuara nga OECD-ja, një klub i vendeve të pasura, janë ende të qëndrueshme.
Banka UBS ndjek rritjen e PBB-së globale sipas çmimeve të tregjeve financiare (për shembull, çmimeve të naftës dhe aksioneve ciklike). Kjo aktualisht tregon një rritje prej 3.4%, kundrejt 3.7% përpara rënies së Bankës Silicon Valley (SVB).
Është ende herët. Dhimbja mund të mos ketë ardhur ende. Siç vunë në dukje analistët e Bankës JPMorgan, ekonomistët kanë dy shqetësime.
Një është pasiguria. Nëse njerëzit i druhen një krize bankare dhe dhimbjes ekonomike që e shoqëron atë, ata mund të ulin konsumin dhe investimet.
Shqetësimi tjetër ka të bëjë me kredinë. Institucionet financiare, nga frika e humbjeve, mund të tërhiqen nga kreditimi, duke i privuar firmat nga kapitali. Për fat të mirë, ka arsye për të menduar se trazirat e fundit do të kenë më pak ndikim se ç’mendohet.
Marrim së pari pasigurinë. Hulumtimi i FMN-së i publikuar në vitin 2013, zbuloi se rritjet e pasigurisë, të shkaktuara nga ngjarje si pushtimi i Irakut nga Amerika dhe kolapsi i bankave, mund të ulin rritjen vjetore të PBB-së me 0.5 pikë përqindje, kryesisht për shkak se firmat vonojnë investimet. Nëse një goditje e tillë do të ndodhte, rritja globale do të binte nga 3% në 2.5%.
Megjithatë, nëse trazirat nuk vazhdojnë, ndikimi nuk ka gjasa të jetë aq i rëndësishëm, sepse kolapset e bankave, çuditërisht kanë lënë pak përshtypje.
Një sondazh nga firma e anketimit Ipsos, zbuloi se nga fillimi deri në mesin e marsit, besimi i konsumatorëve amerikanë u rrit paksa, edhe pse firmat startup në Silicon Valley shqetësoheshin se paratë e tyre do të zhdukeshin.
Një “indeks i pasigurisë”, i përpiluar nga Nick Bloom dhe kolegët e tij në Universitetin Stanford, u rrit paksa kur filluan trazirat, por po ulet sërish.
Perspektiva e biznesit gjerman u përmirësua në mars. Kërkimet në Google për termat që lidhen me “krizën bankare” u rritën në fillim të marsit, por kanë rënë përsëri.
Është e vështirë të thuhet se pse njerëzit janë kaq mospërfillës. Ndoshta pas pandemisë dhe luftës, rrënimet në industrinë bankare duken më të menaxhueshme. Ose ndoshta njerëzit mendojnë se qeveritë do të ndërhyjnë për t’i mbrojtur.
Shqetësimi me kredinë
Shumë ekonomistë shqetësohen më shumë për problemin e dytë: kredinë. Nëse firmat nuk mund të kenë qasje në financa, ato nuk mund të zhvillohen aq lehtë.
Më 22 mars, Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale, iu referua një “literature shumë të gjerë” kur e pyetën për lidhjen midis kushteve më të shtrënguara të kredisë dhe veprimtarisë ekonomike.
Në vitet pas krizës financiare globale 2007-2009, tregjet e dëmtuara të kredisë, frenuan si rimëkëmbjen ekonomike afatshkurtër, ashtu edhe rritjen afatgjatë të produktivitetit.
Pas rënies së Bankës SVB, tregjet e kapitalit ngrinë. Nga 11 deri më 19 mars, firmat amerikane nuk emetuan bono të reja cilësore për investim, megjithëse kishin emetuar një mesatare ditore prej 5 miliardë dollarësh në janar dhe shkurt. Kjo shkaktoi habi.
Më pak njerëz e vunë re kur tregu u rimëkëmb. Në ditët e fundit, Brown-Forman, që prodhon uiski Jack Daniel, dhe NiSource, një firmë shërbimesh, kanë mbledhur shumë para.
Edhe pse spread-et në bonot e korporatave u rritën paksa pas rënies së bankës SVB, edhe ato kanë rënë sërish ditët e fundit.
Kompanitë mund të kenë ndaluar për një kohë të shkurtër emetimin e borxhit të ri, për t’u siguruar se nuk ka më rrezik. Por duket se marsi i vitit 2023 do të jetë një muaj mesatar për emetimin e borxhit të korporatave.
Dëmi ndaj bankave do të ketë më shumë pasoja. Që nga fillimi i marsit, çmimet e aksioneve të bankave globale kanë rënë me më shumë se 10%.
Studimet tregojnë se rënia e çmimeve të aksioneve priret të godasë rritjen e kredisë. Bankat gjithashtu mund të shkurtojnë huadhënien, nëse përjetojnë flukse dalëse depozitash, ose duhet të rrisin kapitalin, sepse investitorët dyshojnë në sigurinë e tyre.
Në të vërtetë, shumë tashmë duket se po shtrëngojnë standardet. Goditja ndaj kreditimit do të ngadalësojë rritjen me 0.4 pikë përqindje, si në Amerikë dhe në Eurozonë, sipas Bankës Goldman Sachs.
Trazirat mund të kenë dëmtuar më shumë bankat amerikane, por ekonomia e Eurozonës është më e varur nga kreditimi i bankave. Kjo mund të ulë edhe më tej rritjen globale, nga 2.5% në paksa më shumë se 2%.
Mos u shqetësoni
Edhe pse trazirat e fundit bankare nuk janë një lajm i mirë, nuk ka gjasa që kjo ta shkundë fort ekonominë botërore. Sigurisht, një tjetër bankë e kalbur mund të shkaktojë një spirale rënëse. Huadhënësve do t’u duhet kohë për të rindërtuar bilancet.
Rritja e normave të interesit do të vazhdojë të pengojë rritjen ekonomike, derisa bankierët qendrorë të gjykojnë se puna e tyre i ka arritur rezultatet. Por ka edhe forca që po punojnë në drejtimin e kundërt.
Njëra është rimëkëmbja e Kinës. Ekonomistët presin që ekonomia e dytë më e madhe në botë të rritet me mbi 7% në bazë vjetore në tremujorin e dytë të vitit.
Ndërkohë, pengesat e zinxhirit të furnizimit janë lehtësuar kryesisht dhe çmimet e energjisë kanë rënë. Mos u habitni nëse qëndrueshmëria e pazakontë e ekonomisë botërore vazhdon./RevistaMonitor