Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shijak ditën e sotme, në një takim me banorët e prekur nga tërmeti.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë zbuloi të gjitha kategoritë që përjashtohen nga amnistia fiskale.
Rama tha se nuk do të mund të fusin paratë në banka të gjithë gjyqtarët, prokurorët, policët dhe zyrtarët e tjerë, së bashku me familjarët e tyre.
Kryeministri sqaroi se amnistia është për të gjithë qytetarët, të cilët mund të fusin para në banka, me komision shumë të ulët.
“Mos të kenë frikë të sjellin në Shqipëri lekë, duke përjashtuar kategorikisht paratë që vijnë nga krimi dhe politikanët bashkë me familjet e tyre, gjykatësit bashkë me familjet e tyre, prokurorët, policët e të gjithë zyrtarët e lartë me familjet e tyre, të cilët nuk do ta kenë shansin për të pastruar para që vijnë nga korrupsioni. Të gjithë të tjerët do të ftohen të fusin para nëpër banka dhe do kenë garanci të plotë. Kjo do bëjë që do të rritet shumë kapaciteti ekonomik i gjithë individëve që kanë kursime dhe që duhet t’i përdorin vetëm me cash, do rritet shumë aftësia e shumë familjeve, që të mund të bashkëpunojnë me bankat. Mund të ketë edhe para që nuk i ka deklaruar nga biznesi i vogël apo nga biznesi i madh, që të shkojë të marrë diçka nga banka ose t’i fusë në bankë. Kjo do të jetë me kufi, me një afat të caktuar, dhe të gjithë duhet ta shfrytëzojnë këtë afat, sepse pas këtij afati nuk mund të thotë që nuk e dija, kur të ketë të njëjtin trajtim si ai që kanë sot ata që janë subjekt i OFL. Shteti duhet t’i japë mundësi amnistie atyre që i kanë paratë nga puna. Kjo do të jetë një shtysë e fortë për familjet dhe një mundësi e madhe për emigrantët, por edhe një kontribut i madh për Shqipërinë. Këto para do të futen në bankë me një komision shumë të ulët, që do të shërbejë për ekonominë e përgjithshme, pasi me ato të ardhura ne do të bëjmë investime. Këto investime do t’i japin një pamje të re ekonomisë. Jemi marrë shumë me politikën e të tjera tema, por kemi vendosur bazat tani për t’u marrë vetëm me ekonominë dhe për të bërë të mundur një ndryshim të madh ekonomik. Unë nuk them të bëhemi të dytët pas Gjermanisë, por ndryshim brenda potencialit tonë”, tha Rama.