Ish-ambasadorja gjermane në Shqipëri, Susanne Schütz, aktualisht e ngarkuar për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme Gjermane, ka folur lidhur me procesin integrues të Ballkanit Perëndimor.
Deutsche Welle: Jemi në prag të ndërrimit të viteve. Presidencës gjermane në Këshillin Europian po i vjen fundi. Nga Ballkani Perëndimor dëgjohen ankesa, sepse nuk ka pasur suksese në disa pika të rëndësishme: p.sh. për “bisedimet e pranimit” me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, si dhe dialogu Serbi- Kosovë. Si mendoni ju për këto?
Schütz: Afrimi i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian, si një vendim strategjik shumë i rëndësishëm për rajonin, por edhe për ne, ka qenë krejt në krye të agjendës së Gjermanisë vitin e kaluar. Duke hedhur një vështrim retrospektiv në vitin 2020 jemi të kënaqur që në Ballkanin Perëndimor janë bërë përparime të rëndësishme. Megjithëse njerëzit në rajon ka mundësi që të kenë shpresuar për më shumë, duhen parë sukseset dhe jo dështimet. Kështu në muajin mars u mor vendimi i rëndësishëm nga vendet anëtare të BE për fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, një vendim i rëndësishëm politik që u arrit pas disa herësh. Vetëkuptohet që ne do të kishim dëshiruar që tani në fund të vitit të zhvilloheshin konferencat e para të pranimit. Në këtë rrugë ne kemi ecur shumë me të dy vendet. Shqipërisë i mungon plotësimi i disa kushteve, të cilat mund të plotësohen në fillim të vitit tjetër, këto janë shpresat tona. Në rastin e Maqedonisë së Veriut jemi shumë të zhgënjyer, që nuk arritëm të gjenim një kompromis, megjithë punën intensive që bëmë me të dy vendet, me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Njëkohësisht nuk duhet të harrojmë që Maqedonia e Veriut arriti të futet në NATO. Ky ka qenë një hap shumë i rëndësishëm, që u bë i mundur nga Marrëveshja e Prespës. Po ashtu kemi ecur mirë në dialogun e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë. Me emërimin e Miroslav Lajčák-ut si të ngarkuar special të BE për dialogun u arrit faktikisht rifillimi i dialogut pas një pauze të gjatë. Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën ky është faktikisht një proces i vështirë, sepse duhet kapërcyer skepticizmi i disa vendeve anëtare. Por edhe këtë çështje ne kemi futur në agjendën e grupeve të punës të Këshillit, së bashku me lutjen dërguar Komisionit që të sjellë informacione të tjera. Këto janë predispozita të mira për të vazhduar bisedimet vitin e ardhshëm me shpresën që të arrihet liberalizimi i vizave, për të vënë më në fund në jetë premtimin e BE.
Deutsche Welle: Ju thatë se Shqipërisë i mungon plotësimi i disa kushteve? Për cilat kushte bëhet fjalë?
Schütz: Shteti juridik është natyrisht një temë e rëndësishme. Në rastin e Shqipërisë puna është po ashtu tek aftësia e funksionimit të gjykatave të nivelit të lartë, pra Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Prandaj ne e përshëndetim Shqipërinë që emëroi gjykatësin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, dhe që Gjykata Kushtetuese mund të funksionojë sërish. Jemi duke pritur që e njëjta gjë të ndodhë shpejt edhe për Gjykatën e Lartë. Ky është një kusht i rëndësishëm që shtetet anëtare të BE-së të japin aprovimin për hapat e tjerë.
Deutsche Welle: Si i vlerësoni shancet që të gjendet një kompromis për Maqedoninë e Veriut?
Schütz: Kushti për marrjen e vendimeve është që të gjitha vendet të japin votën. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, për fat të keq nuk ishte e mundur që të bindej Bullgaria që të jepte votën pro. Por edhe vetë Maqedonia e Veriut kishte limitet e veta, të cilat nuk mund të kapërceheshin. Bisedimet duhen filluar sërish vitin e ardhshëm. Ne e kemi thënë qartë se temat bilaterale, sidomos diferencat historike nuk kanë vend në procesin e pranimit. Prandaj ne kërkuam që çështjet që kanë të bëjnë me historinë e përbashkët të diskutohen në komisionin e historianëve që të dy vendet kanë ngritur në kuadër të Marrëveshjes së Miqësisë. Në fund të fundit edhe Bullgaria dëshiron që Maqedonia e Veriut të hyjë në BE.
Deutsche Welle: Ju përmendët dialogun e nisur sërish midis Serbisë dhe Kosovës. Si e vlerësoni procesin aktual?
Schütz: Gjendja në politikën e brendshme në Kosovë e ka komplikuar më shumë dialogun. Dhe muajt e ardhshëm, zgjedhjet që do mbahen dhe krijimi i qeverisë pas tyre, nuk do t’i lehtësojnë bisedimet. Sidoqoftë, që nga vera janë zhvilluar disa takime në nivel politik dhe sidomos në niveli ekspertësh, në të cilat na është thënë se të dy palët janë angazhuar në mënyrë konstruktive. Natyrisht që ka shumë diferenca që duhen kapërcyer. Vendimtare është që në fund të dialogut të kemi një marrëveshje që të rregullojë në mënyrë të qëndrueshme të gjitha çështjet e hapura dhe të jetë politikisht e qëndrueshme në të dy vendet. Kjo do t’i mundësojë Serbisë dhe Kosovës perspektivën e pranimit në BE dhe do kontribuojë në stabilitetin rajonal.
Deutsche Welle: E përmendëm Kosovën me problemet e saj në politikën e brendshme. Por edhe në Serbi nuk të krijohet përshtypja se ekziston gatishmëri për të ndryshuar qëndrimin e deritanishëm ndaj Kosovës…
Schütz: Duhet të jetë në interes të Serbisë që të çojë përpara dialogun, për shkak të bisedimeve të veta pën pranim në BE. Ne e dimë që nuk është e thjeshtë, por unë besoj se edhe Serbia e kupton se pavarësia e Kosovës nuk është më e kthyeshme. Ne nuk duhet të harrojmë që Shtetet e Bashkuara do të kenë pas 20 janarit një qeveri të re, e cila do t’u japë shtysë të re bisedimeve.
Deutsche Welle: Për njerëzit në rajon i gjithë ky proces po merr shumë kohë, sidomos për të rinjtë që i kthejnë kurrizin vendit të tyre. Si mund të mbahen të rinjtë të motivuar që të mos largohen. Çfarë duhet bërë?
Schütz: Kjo është një pyetje e rëndësishme, me të cilën ne u morëm në fund të tetorit në kuadër të një konference për rininë, migracionin dhe demografinë, së bashku me përfaqësues nga qeveria dhe shoqëria civile. Aty u tha se mungesa e shtetit ligjor dhe korrupsioni janë shkaqe të rëndësishme që nxisin migracionin. Ne do të merremi më këtë gjë në kuadër të mbajtjes së kryesimit në Procesin e Berlinit, dhe do të vazhdojmë dialogun me shoqërinë civile dhe rininë. Natyrisht që do t’u kërkojmë herë pas here qeverive të rajonit që të respektojnë parimet e shtetit juridik dhe të luftojnë më shumë korrupsionin. Këtyre u shtohen elemente të tjera, për shembull çështjet e sistemit të arsimit dhe luftimi i papunësisë. E rëndësishme është që tek këto vende të arrihen kushtet që t’u krijojnë perspektiva për të ardhmen njerëzve me gjithë familjet e tyre.
Ambasadorja Susanne Schütz është e ngarkuar për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme Gjermane.
/Gazetareforma.com/