Ambasadorja Kim takon Vitore Tushën për çështjet që do të gjykojë Kushtetuesja
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka takuar kryetaren në detyrë të Gjykatës Kushtetuese pasi ky institucion vetëm pak javë më parë u bë funksional me plotësimin e kuorumit të gjyqtarëve.
Znj.Kim shkruan se tashmë Vitore Tusha e cila është dhe kryetare e KED ka përgjegjësinë të drejtojë Gjykatën Kushtetuese në shqyrtimin e çështjeve të rëndësishme.
Ajo shpreh mbështetjen e fortë të SHBA që Reforma në Drejtësi të japë rezultatet e pritura.
STATUSI NGA AMBASADORJA AMERIKANE
“Unë u takova me gjyqtaren Tusha për ta falënderuar atë për udhëheqjen e qëndrueshme dhe të mençur të KED, e cila bëri të mundur që Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale. Tani, ajo ka përgjegjësinë të drejtojë GJK-në në shqyrtimin e çështjeve të rëndësishme.SHBA do të vazhdojë mbështetjen e saj të fortë në mënyrë që Reforma në Drejtësi të japë rezultate”.
Gjykata Kushtetuese u bë funksionale më 23 dhjetor me anëtarin e saj të gjashtë, pasi presidenti Ilir Meta, firmosi në kohë rekord emërimin e juristit të njohur Përparim Kalo, vetëm pak orë pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i dërgoi atij listën e kandidatëve. Me emërimin e e njoftuar atë mbrëmje, numri i anëtarëve të Gjykatës, arrin kuorumin minimal për t’u mbledhur në seancë e plenare e për të nisur me shqyrtimin e çështjeve.
/Gazetareforma.com/