AMA shtyn përsëri procesin e digjitalizmit në Shkodër, Lezhë, Vlorë, Elbasan/Shkak situata me COVID-19

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka njoftuar ditën e sotme se procesi i digjitalizimit do të shtyhet edhe tre muaj në qarqet Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë. Kështu, AMA vendos datën 30 shtator 2020 si afatin përfundimtar për digjitalizimin e transmetimeve analoge në këto qarqe.

Në njoftimin e publikuar në mediat sociale, sqarohet se situata e krijuar nga pandemia ka “krijuar vështirësi në finalizimin e këtij procesi ndaj dhe marrja e masave për parandalimin e përhapjes së virusit vijon të mbetet prioritet.”

Po ashtu, AMA sqaron se nga të dhënat e mbledhura në terren rezulton se disa aspekte kërkojnë ende kohë për finalizimin e procesit të digjitalizimit.

Njoftimi i plotë:

Shtyhet edhe 3 muaj procesi i digjitalizimit në qarqet Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë

Autoriteti i Mediave Audiovizive vendos datën 30 shtator 2020 si afatin përfundimtar për digjitalizimin e transmetimeve analoge në qarqet Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.

Situata e krijuar nga Pandemia e Covid-19, kur numri i të prekurve sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë rezulton të jetë në shifra të konsiderueshme, ka krijuar vështirësi në finalizimin e këtij procesi ndaj dhe marrja e masave për parandalimin e përhapjes së virusit vijon të mbetet prioritet.

Anëtarët e Bordit të AMA-s në mbledhjen e tyre të ditës së sotme gjithashtu morën në shqyrtim edhe informacionet e mbledhura në terren nga të katër qarqet e mësipërme. Nga të dhënat e mbledhura në terren rezulton se disa aspekte kërkojnë ende kohë për finalizimin e procesit të digjitalizimit, përmes të cilit të përfitojnë të gjithë ndjekësit e përmbajtjeve audiovizive.

Nga monitorimet e kryera rezulton se nuk ka përfunduar plotësisht infrastruktura e transmetimit. Janë instaluar pikat e transmetimit në bashkitë kryesore të këtyre qarqeve, por ndërkohë mbeten pa sinjal disa bashki të tjera.

Një problematikë që u përmend ishte se në të katër këto qarqe, operatorët lokalë nuk kanë mbështetur programin e tyre në rrjetin e RTSH-së apo në ndonjë rrjet tjetër privat kombëtar numerik.

Sa i takon procesit të pajisjes së qytetarëve me dekodera, ditët e fundit në adresë të AMA-s u paraqitën mjaft ankesa nga qytetarët lidhur me grumbullime të konsiderueshme blerësish pranë zyrave postare ose pikave të ndryshme të shitjeve. Ndaj dhe një pjesë e tyre kanë kërkuar shtyrjen e fikjes së sinjalit analog.

AMA, në këtë vendimmarrje mban në konsideratë edhe kohën e cila përkon me sezonin turistik i cili është dëmtuar jo pak nga Pandemia.

Në përfundim, AMA duke konsideruar situatën e krijuar nga Covid-19, faktin që subjektet nuk kanë shtruar plotësisht infrastrukturën teknike, mosdëmtimin e sektorit të turizmit dhe me qëllim parandalimin e grumbullimeve të qytetarëve që stimulon përhapjen e virusit, ra dakord të shtyjë afatin e mbylljes së transmetimeve analoge në qarqet Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë, deri në datën 30 shtator 2020.

Kjo periudhë 3 mujore do të monitorohet në vijimësi nga AMA, për ta përmbyllur deri më 30 shtator 2020 kalimin e transmetimeve nga analogu në digjital në qarqet Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

29 qershor 2020

Shpërndaje
Share.

Komento