Albin Kurti: Kosova e gatshme të rinisë dialogun me Serbinë

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Situata politike në Kosovë është e paqëndrueshme prej kohësh, teksa gjendja është përkeqësuar edhe më shumë pas rrëzimit të qeverisë Kurti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar herë pas here presidentin Hashim Thaçi se po bashkëpunon me Serbinë për ndarjen e Kosovës.

Më 7 maj, Kurti u shpreh në ‘Opinion’ se midis dy presidentëve, të Kosovës e Serbisë, ka një marrëveshje të fshehtë dhe i pyetur se si ai ka rënë në dijeni të kësaj marrëveshjeje, Kurti tha se një këshilltar i Presidentit Thaçi ja ka parashtruar atë si propozim një këshilltari të tij.

LEXO: Kryeministri Kurti: Thaçi dhe Vuçiç kanë nënshkruar një marrëveshje të fshehtë, ja kush ma tregoi

Së fundmi Kurti ka thënë se është i gatshëm për të rifilluar dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Deklarata e tij është bërë teksa zhvilloi një takim me prodhuesit vendorë në Suharekë, prej nga ku deklaroi se është në kontakt të vazhdueshëm me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe se ai është duke përgatitur fillimin e dialogut.

“Ne kërkojmë që ky dialog të jetë me parime dhe i përgatitur, i organizuar mirë. Jemi gati, kemi përvojë, do t’i mbrojmë interesat e shtetit tonë dhe do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës ashtu siç e thotë Kushtetuta, ashtu siç e thonë ligjet tona dhe ashtu siç na njeh populli i Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Ndërsa a i përket kohës se kur do të mund të rifillojë ky dialog, Kurti ka thënë se kjo gjë është në dorën e Brukselit.

“Pra varet prej Brukselit, kalendari i dialogut të ardhshëm dhe në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit nga viti i kaluar, Kosovën e përfaqëson kryeministri i saj”, ka thënë Kurti, kur është pyetur se kush do ta udhëheqë dialogun.

Kujtojmë se disa muaj më parë SHBA dërgoi në Ballkan Richard Grenell i cili supozohej të rregullonte marrëdhëniet mes dy vendeve, por prania e tij solli një krizë të thellë politike në Kosovë.

Albin Kurtit iu kërkua të hiqej taksa 100% ndaj Serbisë, por ai e hoqi atë vetëm për lëndën e parë, duke kërkuar reciprocitet.

Ditën e djeshme u raportua se, Daniel Serwer, një prej ekspertëve më të njohur amerikan dhe një njohës i mirë i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, thotë se kjo verë do të jetë vendimtare për shtetin e Kosovës.

Ai ka zhvilluar një diskutim me një panel të Universitetit të Kolumbisë, ku ishte i pranishëm edhe David Philips, ka folur për të ardhmen e Kosovës.

Sipas tij administrata aktuale e SHBA, administrata Trump ka braktisur politikën tradicionale të Amerikës karshi Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht Republikën e Kosovës, duke u bërë partner me Serbinë.

LEXO: Paralajmërimi i ekspertit amerikan: Ndarja e Kosovës mund të evitohet deri më 1 tetor

Shpërndaje
Share.

Komento