Skip to content
Rajoni

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani ngushëllojnë familjet e viktimave në aksidentin tragjik

· 2 min lexim

Një aksident me pasoja fatale u regjistrua mëngjesin e sotëm në Kroaci. Një autobus me targa të Kosovës është aksidentuar dhe për pasojë 10 pasagjerë kanë humbur jetën, ndërsa mbi 30 persona janë transportuar në spital.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nëpërmjet një reagimi në “Facebook”, bën me dije se Ministri i Brendshëm i Kosovës është nisur drejt Kroacisë, në vendin ku u regjistrua aksidenti fatal, po ashtu edhe ambasadori i Kosovës në Zagreb do të jetë prezent.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit.  Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb.  Me ankth e shpresë jemi pranë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre në këto çaste të rënda”, shkroi Kurti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve që kanë humbur të afërmit në këtë aksident, ndërsa i uron shërim të shpejtë të lënduarve.

“Lajm tragjik e i rëndë sot për vendin tonë. Nga kontakti me Ambasadën e Kosovës në Zagreb dhe me autoritetet kroate, jam njoftuar se nga një aksident komunikacioni që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën tragjikisht dhjetë udhëtarë e shumë të tjerë janë lënduar.

Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!

Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë.

Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t’u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik”, ka thënë Osmani.