Qindra të rinj në Shqipëri po vuajnë pasojat shëndetësore të punës në call-centera, një sektor ku shumica angazhohen jo nga dëshira, por nga mungesa e alternativave në tregun e punës, pavarësisht diplomave që zotërojnë. Ata detyrohen të kalojnë orë të tëra të ulur përpara kompjuterëve, me kufje në vesh, në ambiente shpesh të mbipopulluara dhe pa kushte minimale pune.
Sipas një studimi të kryer në këtë sektor, rreth 60% e të rinjve që punojnë në call-centera raportojnë dëmtime të shtyllës kurrizore, probleme me dëgjimin dhe shikimin, si dhe shqetësime të shëndetit mendor të shkaktuara nga presioni i thirrjeve të gjata dhe stresi i vazhdueshëm.
“95% e tyre raportuan spoliartrozë, probleme me sytë, veshët etj.” – deklaron Ilir Xhemalaj nga Sindikata Kombëtare e Operatorëve Telefonikë, duke theksuar mungesën e vëmendjes ndaj shëndetit të punonjësve.
Situata përkeqësohet më tej nga kushtet e mjerueshme të punës. Shumë kompani të sektorit marrin ambiente me qira ku fusin një numër të madh kompjuterësh dhe punonjësish, duke neglizhuar hapësirën, ndriçimin apo standardet minimale të sigurisë.
“Unë kam 16 vjet operator, kam kompjuter të vitit 2010 dhe kufje që i përdorim tre veta sepse i ndërrojmë turnet,” rrëfen një punonjës i ri, duke nxjerrë në pah nivelin e papranueshëm të mjeteve të punës.
Edhe pse kontratat parashikojnë një orar 6-orësh, të rinjtë shpesh janë të detyruar të qëndrojnë shumë më gjatë për të siguruar një pagë minimale që mbulon jetesën. “6 orë është kontrata, por për aq nuk paguhesh gjë. Duhet të qëndrosh dyfish që të marrësh një pagë për jetesë,” pohon një tjetër i punësuar në këtë sektor.
Ndërkohë, mjeku i punës, i cili është një detyrim ligjor për çdo kompani, rezulton të jetë vetëm në letra. Në realitet, kontrollet mjekësore mungojnë totalisht, duke rrezikuar më tej shëndetin e punonjësve.
Ky realitet ngrit alarmin për institucionet përkatëse, të cilat duhet të ndërhyjnë menjëherë për të mbrojtur të rinjtë që po sakrifikojnë shëndetin e tyre për një vend pune minimal dhe pa garanci.