Akuza e fortë e Bashës: Banda e Lushnjes ka blerë televizionet dhe mediat, më censurojnë deklaratat

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë mbrëmjen e sotme një akuzë të fortë për një media, ku teksa fliste për një marrëveshje të fshehtë me kryeministrin Edi Rama, tregoi një episod mes tij dhe drejtorit të një media të madhe në vend.

Basha tha se “po qeshte” së bashku me drejtorin e kësaj medie, pasi ata që hedhin teoritë për marrëveshje me Ramën, në mëngjes thonë se ka marrëveshje që Ilir Meta të bëhet kryeministër e Rama president, dhe në pasdite thonë se ka marrëveshje që Basha të bëhet kryeministër e Rama president.

Më tej, ai shtoi se banda e Lushnjes ka blerë televizione dhe media, që censurojnë deklaratat e tij.

Lulzim Basha: Edhe sot që flasim ka dhënë prapë sot, ka paguar inceneratorëve, 720 milionë euro, më fal 727 mijë euro, më datë 28 maj. Detyrim, kapar korruptiv. Inceneratori i Tiranës është vepër korruptive kriminale e bandës së Lushnjes, Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Arben Ahmetajt. Dhe është një bandë e fuqishme që ja ka dalë me sukses të mbyllë cdo ekran televiziv, me anë të ryshfeteve. Ky është një nga ekranet e pakta, ku unë jam lejuar….

Blendi Fevziu: Kush ju ka censuruar?
Lulzim Basha: Të gjithë pa përjashtim….është një nga bandat më të rrezikshme
Blendi Fevziu: Ju po thoni që edhe deklaratat e kryeopozitarit janë censuruara?
Lulzim Basha: Po, padiskutim, 400 milionë euro. Është një buxhet i madh që shpërndahet teevizion më televizion, ekran më ekran e gazetë më gazetë…

Më tej, Basha tha se ka marrë tashmë vendimin për të hyrë në zgjedhje me atë që e quan “opozita e bashkuar” ku përfshihen partitë si LSI dhe aleatët e tjerë të së djathtës dhe shtoi se opozita nuk e ka “një mekanizëm në dorë” që të provokojë zgjedhje të parakohëshme.

“Opozita e bashkuar do të shkojë së bashku në zgjedhje. Zgjedhje jemi të gatshëm që dje. Nuk mundet më Shqipëria të vazhdojë kështu. A kemi ne mekanizëm për të provokuar zgjedhje të parakohëshme? Ti e di që jo. Prandaj u larguam nga ai parlament, për të provokuar zgjedhje të parakohëshme,” deklaroi Basha.

Sipas kryedemokratit, nëse Rama nuk largohet për t’i hapur rrugë qeverisë tranzitore, opozita do të formojë një koalicion të madh për t’u përballur me të, duke mos u larguar nga zgjedhjet.

Shpërndaje
Share.

Komento