AKU në heshtje: Çfarë po ndodh me 25 ton mish të infektuar me salmonelë të EHW?

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Siguria ushqimore në Shqipëri vijon të jetë në nivele shumë të ulëta.

Një pjesë e mirë e ankesave të qytetarëve bien në vesh të shurdhër.

Kjo për shkak se institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore, japin informacion të cunguar, ose kur bëhet fjalë për skandale të mëdha nuk e bëjnë fare publike, duke na lënë dyshime se fshihen afera të tjera.

I tillë është edhe rasti për bllokimin e 25 ton mish të infektuar me salmonelë dhe E-coli.

Ngarkesa u bllokua më 8 gusht të vitit të kaluar në portin e Durrësit.

Sipas burimeve të GazetaReforma, subjekti që e kishte porositur ishte EHW.

Raporti nuk u bë publik nga AKU, ashtu siç e ka detyrim ligjor, por u fsheh.

Ishte iniciativa e “GazetaOra” dhe “Rehatfare”, të cilat siguruan raportin nëpërmjet burimeve jo zyrtare dhe publikuan skandalin gjatë muajit nëntor.

Pasi kreu analizat pranë ISUV, AKU urdhëroi bllokimin e mishit dhe kthimin mbrapsh të ngarkesës, e cila kishte ardhur nga Qipro.

Në lidhje me këtë rast nuk ka reaguar as AKU dhe as Ministria e Bujqësisë, që duhet të mbajnë përgjegjësi direkte për këtë skandal.

Ka dyshime të forta se sasia e mishit mund të jetë hedhur në treg.

GazetaReforma kontaktoi me drejtorin aktual të AKU Durrës, Manush Kullolli.

Ky i fundit u shpreh se nuk mban përgjegjësi për këtë rast, duke qenë se në atë kohë ka qenë dikush tjetër drejtor.

Ai gjithashtu tha se duhet t’i drejtohemi zyrave qendrore të AKU, pasi nuk e disponon këtë informacion.

“Nuk e di se për çfarë bëhet fjalë pasi nuk kam qenë në detyrë. Duhet të organizoj punonjësit e mi”, u shpreh Kullolli.

Më pas redaksia jonë kontaktoi edhe Ardit Tabakun, ish-drejtorin e AKU Durrës, i cili ka qenë në krye të detyrës gjatë kohës kur është bllokuar sasia e mishit.

Tabaku nuk dha asnjë përgjigje, në lidhje me faktin se përse informacioni është fshehur dhe nuk është bërë publik për konsumatorët.

Ai nuk pranoi të jepte informacion në lidhje me rastin, duke thënë se nuk është i autorizuar, duke qenë se nuk është më në detyrë.

Edhe Tabaku na ftoi që të drejtohemi për informacion tek zyrat qendrore të AKU.

“Nuk jam i autorizuar të jap këtë informacion” , u shpreh Tabaku.

GazetaReforma ka kontaktuar me AKU edhe përpara se zotërinjtë të na e rekomandonin, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Gjithashtu GazetaReforma ka kontaktuar AKU nëpërmjet numrave të telefonit të vendosur në faqen zyrtare, por asnjëri nuk funksionon.

Pas gjithë këtij terri informativ, nuk dihet nëse është zbatuar urdhri i AKU, apo mishi i infektuar është futur në tregun shqiptar.

Deri më tani askush nuk mban përgjegjësi dhe bashkëpunimi nga autoritetet është zero.

Ping pongu i informacionit me drejtorët dhe ish-drejtorët vazhdon, ndërsa GazetaReforma është në pritje të një përgjigje zyrtare nga AKU, për të hedhur më shumë dritë rreth të vërtetës.

Shpërndaje
Share.

Komento