Policia e Shtetit ka dalë me njoftim zyrtar për aksidentin tragjik që ndodhi ditën e sotme në aksin Gjirokastër-Sarandë, te Qafa e Muzinës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasi një mjet tip “Land Rover” me drejtuese shtetasen R. Ç. është përplasur me mjetin tip furgon me drejtues shtetasin B. P. Si pasojë e përplasjes furgoni ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar disa metra poshtë rrugës në një greminë. Policia njofton se pesë persona që ndodheshin në furgon kanë humbur jetën.
Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor dhe është duke punuar për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit të rëndë. Paraprakisht dyshohet se shkaku i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë dhe rruga e lagur si pasojë e reshjeve që ranë ditën e sotme.
Njoftimi i policisë:
Gjirokastër/Informacion paraprak.
Njoftohemi se rreth orës 15:30, në rugën nacionale Gjirokastër-Sarandë, në vendin e quajtur Muzinë, mjeti tip “Land Rover” me drejtuese shtetasen R. Ç. është përplasur me mjetin tip furgon me drejtues shtetasin B. P.
Si pasojë e përplasjes mjeti tip furgon ka dal nga rruga dhe ka përfunduar disa metra poshtë rrugës.
Për pasojë kanë humbur jetën 4 shtetas, të cilët ndodheshin në mjetin tip furgon.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Informacion shtesë:
Në vijim të informacionit paraprak për aksidentin ku u përplasën mjetet tip “Land Rover” me mjetin tip furgon dhe si pasojë humbën jetën 4 shtetas, ju informojmë se ka ndërruar jet dhe një shtetas tjetër i cili ishte pasagjer i mjetit tip furgon.