Një aksident tragjik ka ndodhur ditën e sotme në aksin rrugor Sarandë-Gjirokastër, te Qafa e Muzinës, ku disa persona kanë humbur jetën.
Një furgon me targa të verdha ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në greminë, ndërsa paraprakisht dyshohet se kanë humbur jetën pesë persona. Fillimisht u raportua për tre viktima, por fatkeqësisht numri ka qenë më i lartë.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur policia dhe ambulanca, ndërsa pritet që të mbërrijë edhe zjarrfikësja për të bërë të mundur hapjen e dyerve të furgonit, megjithatë terreni i thyer e vështirëson punën. Gjithashtu dyshohet të ketë persona të plagosur, por nuk dihet ende numri i saktë.
Në pamjet e publikuara shihen njerëzit që mundohen t’u vijnë në ndihmë atyre që kanë mbetur brenda furgonit. Siç duket në videon e publikuar nga Dosja.al, kjo është e pamundur pasi dyert e mjetit janë shtypur dhe nuk mund të hapen, ndërsa qytetarët shfaqen mjaft të shqetësuar.
“Obobo, a ka fëmijë brenda more? A ka fëmijë?”- dëgjohet të thuhet në sfond.
https://youtu.be/DFMJH0Tha_4
Ndërkohë, në një video tjetër të publikuar pak më parë shihen disa ambulanca që janë duke shkuar në vendin e ngjarjes.
Ende nuk dihet shkaku i aksidentit të rëndë, ndërsa pritet një njoftim i policisë për ngjarjen në fjalë.