Banorët e Krujës kanë paralajmëruar pasditen e sotme se do të mbajnë një protestë. Tubimi do të zhvillohet në orën 18:00 tek ish-rrethrrotullimi i Thumanës. Në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale, thuhet se kjo protestë do të mbahet për shkak të përjashtimit të zonës nga aksesi në autostradën Thumanë -Kashar, për shkak se të gjithë bizneset në rrethin Krujë janë në prag falimenti.
Ndërkohë deputetja demokrate, Elda Hoti doli në një deklaratë nga selia blu për të denoncuar bllokimin e hyrje-daljeve në Thumanë për shkak të ndërtimit të autostradës së re. Ajo tha se ky është një vendim korruptiv. Deputetja tha se një gjë e tillë jo vetëm pengon lirinë e lëvizjes, por po falimenton një zonë të tërë.
“Sot, në ora 18.00, do të mblidhemi në hyrje të aksit Thumanë-Kashar për të protestuar për traun e ri që ndan shqiptarët nga shqiptarët, që ndan të pasurit nga të varfrit, që ndan hajdutët nga punëtorët. Ftoj qytetarët e Krujës, Fushë Krujës, Kurbinit, Mirditës, Lezhës dhe Shkodrës, t’i bashkohen protestës,” tha deputetja.
Ka pasur protesta te vazhdueshme të banorëve ne fshatra te ndryshëm për problematika te ndryshme që kjo rruge e devijuar sipas interesit te firmës po shkakton. Janë me qindra biznese në të dy anët nga Thumana deri në Fushë-Krujë të cilët me futjen ne funksion të autostradës së re dalin jashtë funksioni, ku sipas tyre pasi për përfitime personale firma Gener 2 e ka anashkaluar Thumanën e Fushë-Krujën duke bërë një hyrje të kësaj autostrade në Bushnesh ku asaj i leverdis me shumë duke nxjerrë kështu jashtë loje jo vetëm këto biznese, por edhe të gjithë rrethin e Krujës.