Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur fituesin e tenderit për “Sistemin e Kontrollit dhe Vlerësimit të Sigurisë Kibernetike” për Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike. Në fakt, edhe këtë herë AKSHI nuk na la pa befasi, pasi ndërron dorë dhe firma fituese nuk është Soft&Solutions e Ermal Beqirit, që fiton gjithmonë tenderat nga ky institucion. Këtë herë firma fituese është ‘FIRST’, e cila është në pronësi të Gëzim Hoxhës. Kjo firmë e ka fituar tenderin me një ofertë prej 139,999,999 lekë të reja pa TVSH, ose afërsisht 1.7 milionë euro me TVSH. Kjo shumë përfaqëson 93% të fondit limit, i cili ishte vendosur në 151,199,546 lekë të reja pa TVSH, ose afërsisht 1.8 milionë euro me TVSH.
Edhe pse është një tender i zhvilluar në procedurë të hapur, një shqetësim i madh ngrihet sërish mbi mungesën e konkurrencës në këtë proces. Kjo pasi në të ka marrë pjesë vetëm një kompani, e cila ka rezultuar dhe fituese e tenderit. Mungesa e pjesëmarrësve të tjerë ka sjellë dyshime të mëtejshme mbi transparencën dhe drejtësinë e këtij tenderi. Kjo situatë e kufizuar e konkurrencës, së bashku me faktin që oferta fituese është shumë pranë fondit limit, ngre pyetje mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe mbi mundësinë e manipulimit të saj. Si rrjedhojë, pritet që ky tender të ngjallë diskutime dhe ndoshta të tërheqë vëmendjen e autoriteteve mbikëqyrëse për të hetuar më tej rrethanat e procedurës. Por kjo nuk është hera e parë që tenderat e AKSHI-t ngjallin dyshime por edhe diskutime mbi mënyrën se si zhvillohen. Kjo Agjenci është shndërruar praktikisht në një monopol privat, teksa thuajse të gjithë tenderat e saj shkojnë në vetëm një dorë, ndërsa bëhet fjalë për miliarda lekë. Procedurat prokuruese në AKSHI duken thjesht një formalitet, pasi rezultati i tyre është gjithmonë i njëjtë. Fituese është ose kompania Soft& Solution ose kompanitë bashkëpunëtore të saj, Fastech. Gjithsesi këtë herë, AKSHI na befasoi disi, duke ndryshuar dorë, por procedura sërish të lë dyshime. Nëse I hedhim një sy tabelës së të gjithë tenderave me vlerë mbi 300 mijë euro që AKSHI ka zhvilluar gjatë këtij viti, vihen re se emrat e kompanive fituese janë të njëjta.
Thuajse të gjitha kompanitë që kanë marrë tenderat e AKSHI-t këtë vit ose janë bashkëpunëtore ose është kompania Soft& Solution. Në disa procedura ato hyjnë dhe fitojnë kontrata bashkë, në të tjerë tendera konkurrojnë të vetme. Rekordet janë të qarta. Tek tenderat e AKSHI-t konkurrenca ka vdekur. Publikisht është thënë se prokuroria ka dhe përgjime për tenderat e AKSHI-t. Por ndërsa vërtetësia e këtyre thënieve mbetet e paprovuar, Prokurorisë nuk i nevojitet aspak të ketë përgjime. Indiciet e tenderave të IT-së janë publike, ndërkohë që gjakderdhja financiare vazhdon