Ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit qeveritar, duke deklaruar se nga buxheti i shtetit janë vjedhur rreth 14 miliardë dollarë dhe se siguria kombëtare ka përfunduar në duart e krimit të organizuar. Deklaratat u bënë gjatë intervistës në emisionin Çim Peka LIVE në SYRI TV.
Ahmetaj u shpreh se çështjet e hapura deri tani nga SPAK nuk lidhen me denoncimet e tij personale, por me realitetin e Shqipërisë. “Nuk ka lidhje me denoncimet e mia. Ka të bëjë me realitetin e Shqipërisë. Këto janë vetëm maja e ajsbergut”, deklaroi ai, duke shtuar se aferat e mëdha kanë rënë “gati aksidentalisht” në duart e drejtësisë.
Sipas Ahmetajt, rastet që lidhen me AKSHI, me tenderët publikë dhe me aferat infrastrukturore janë pasojë e kapjes së shtetit dhe e orientimit politik të fondeve publike. Ai akuzoi se “çdo tender është i drejtuar” dhe se paratë e buxhetit shpërndahen sipas interesave personale dhe jo përmes konkurrencës. “Këtu nuk është buxheti privat i shtëpisë së askujt. Këtu ka konkurrencë dhe ligj”, u shpreh Ahmetaj.
Në kritikat e tij, ish zv kryeministri vuri në shënjestër edhe drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, për mungesë veprimi ndaj aferave madhore.
“Pse nuk e merr të pandehur bosin politik. Nuk e merr dot”, tha Ahmetaj, duke shtuar se dëmi ekonomik nga këto afera arrin në 14 miliardë dollarë. “Zero para janë kthyer në buxhetin e shtetit”, deklaroi ai.
Ahmetaj ngriti pikëpyetje të forta mbi mungesën e hetimeve për inceneratorin e Tiranës, për tunelin dhe për projekte të tjera të mëdha.
“Pse nuk ndiqet paraja. Follow the money. Në çdo vend të botës ndiqet paraja”, theksoi ai, duke shtuar se shqiptarët vazhdojnë të paguajnë 29 euro për incenerimin, ndërkohë që incenerimi mungon.
Duke folur për situatën e sigurisë, Ahmetaj deklaroi se Shqipëria është shndërruar në një narkoshtet.
“Krimi i organizuar sot është më i fortë, më i pasur, i internacionalizuar dhe i pushtetëzuar. Ka njerëz në polici, në qeveri dhe në parlament”, u shpreh ai, duke paralajmëruar se vendit do t’i duhen rreth 60 vjet për t’u pastruar nga ky nivel i kapjes së shtetit.
Në përfundim, Ahmetaj deklaroi se ka ndryshuar qasja e partnerëve ndërkombëtarë ndaj situatës në Shqipëri dhe se reforma në drejtësi nuk mund të funksionojë pa pavarësi reale nga pushteti politik.
“Hapi i parë është pavarësia nga kreu i organizatës”, tha ai, duke i bërë thirrje mediave dhe qytetarëve që të hetojnë më tej dhe të mos mbyllin sytë përballë këtyre fakteve.








