Biznesi i mbeturinave urbane duket se është një nga “minierat e arit” për momentin në vendin tonë, ku mbi të janë hedhur të gjithë “të fuqishmit”.
‘Peshkaqenë’ nga politika, oligarkë, biznesi pranë qeverisë, mafiozë, spekulant, matrapazë, xhambazë, e deri te grupe të lidhura me krimin e organizuar dhe terrorizmin, janë bërë të gjithë në një ortakëri me emrin modern “Incenerator”.
Aq e madhe duket kjo tortë me era plehrash në vendin tonë, sa që “peshkaqenët” e parave janë mbledhur si një “gosti me mish balene të ngordhur”.
Kjo “gosti” ka nisur që nga Afrika, Italia e deri në Shqipëri, ku pjesë e saj janë bërë edhe deri ministrat e kabinetit aktual qeveritar, apo kryebashkiakët më kryesorë të “Rilindjes”.
Sipas një investigimi të fundit të publikuar dje nga gazetarët e “BIRN-Albania”, në fillim të vitit 2018, kompania projektuese italiane ‘Icaria’ S.r.l, nisi të merrte kërkesa në rritje nga Shqipëria për një mall të rrallë dhe të kushtueshëm si impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane.
Kërkesat vinin nga i njëjti burim, por Shqipëria nuk ishte destinacioni i vetëm.
Deri në prill 2019, ‘Icaria’ projektoi shtatë impiante; njërin për llogari të koncesionarit të Fierit dhe gjashtë të tjerë për koncesionarin e Tiranës, ‘Integrated Energy’ B.V SPV.
Katër prej impianteve kishin destinacione të largëta si Gana, në Perëndim dhe Zimbabve, në Jug të Afrikës, raporton “BIRN”.
Nga të shtatë projektet, përjashtim bën porosia për projektimin e një impianti të ujërave të ndotur, për zonën e trajtimit të mbetjeve në Sharrë.
Impianti u porosit dhe u pagua nga kompania “3DDD Swiss Trading S.a”, me seli në Lugano të Zvicrës, por pas gjithë kësaj mega-afere qëndronte emri i biznesmenit të shumëpërfolur Mirel Mërtiri.
Aventura afrikane e Mirel Mërtirit
Aventura afrikane e Mirel Mërtirit nisi si ekspansion i modelit shqiptar të partneritetit publik-privat (PPP), në fushën e mbetjeve urbane dhe u financua nëpërmjet kompanive koncesionare – të cilat paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.
Ajo u lançua zyrtarisht edhe në faqen e gjuhës angleze të kompanisë ‘Integrated Energy’ B.V – ku theksohej se projektet do të realizoheshin nëpërmjet bashkëpunimeve me qeveritë e Ganës dhe Zimbabves.
Kompania “3DDD Sëiss Trading S.a”, u themelua në janar 2019 në Lugano dhe kishte si zv.president Ilir Dedjen, një emigrant 51-vjeçar me origjinë nga fshati Seferaj i Kavajës.
Dedja kishte jetuar për dy dekada si tregtar në Itali dhe prej vitit 2017, zotëronte kompaninë e konsulencës “Drax Consult Sagl” në Zvicër.
Rrugët e Dedjes dhe Mërtirit kryqëzohen në shtator 2018, kur Dedja bleu kompaninë asokohe me humbje “C.G.C”, që administrohej nga Mërtiri.
Në vitin 2019, Dedja ktheu mbrapsht 70% të aksioneve te “ITS”, për një vlerë shitjeje prej 600 mijë eurosh.
Republika afrikane e Ganës duket të ketë qenë zgjedhja e parë, pasi tre nga katër projektet e impianteve ishin të destinuara për kryeqytetin Akra dhe qytetet Kumasi dhe Shama. Por prej tyre nuk gjendet asnjë gjurmë.
Në shkurt 2019, në hartë u fut edhe Zimbabve në Jug të Afrikës, pasi koncesionari ‘Integrated Energy’ B.V SPV porositi tek “Icaria S.r.l” një impiant me kosto ndërtimi prej 110 milionë eurosh, për një vend-depozitim mbetjesh në periferi të kryeqytetit Harare.
Sipas raportimeve mediatike në Zimbabve, IEBV arriti në maj 2019 të nënshkruante një memorandum mirëkuptimi me qytetin e Harares për një koncesion 30-vjeçar, por kërkesat e saj u ngritën vetullat përpjetë zyrtarëve lokalë.
Kancelari i Këshillit, Hosiah Chisango, citohet të ketë thënë për ‘All Africa’ se, memorandumi u prish kur përfaqësuesit e ‘Integrated Energy’ B.V kërkuan pagesa paraprake prej miliona dollarësh.
Në gusht 2019, ofertë për biznes në Zimbabve bëri edhe kompania “Drax Consult SAGL”, në pronësinë e Ilir Dedjes, e cila përfaqësohej nga Delish Nguwaya, një biznesmen lokal i lakuar për lidhje të afërta me rrethin e ngushtë familjar të presidentit Emmerson Mnangagëa.
Në qershor të këtij viti, një skandal shpërtheu në Zimbabve pas ekspozimit në media se “Drax Consult Sagl” dhe “Drax International”, kishin nënshkruar kontrata në vlerën 60 milionë USD, në shkelje të dyshuar të rregullave të prokurimit për furnizimin e vendit me pajisje në luftën kundër COVID-19.
Afera e quajtur ‘Covidgate’, vendosi nën akuzë për korrupsion ministrin e Shëndetësisë, Obadiah Moyo dhe disa zyrtarë të kompanisë shtetërore “NatPharm”, ndërsa biznesmeni Nguëaya u akuzua për mashtrim.
Mediat në Zimbabve ngritën pikëpyetje edhe mbi rolin e presidentit Mnangagëa, pas publikimit të një fotografie nga takimi i tij me Mirel Mërtirin dhe ish-deputetin demokrat, Gert Bogdani.
Takimet e Mirel Mërtirin me politikanë
Në një foto të dytë, Mërtiri, Bogdani dhe Elton Bualli, drejtor kantieri në inceneratorin e Elbasanit dhe të Sharrës, pozojnë edhe përkrah ministrit të akuzuar të Shëndetësisë, Obadiah Moyo.
Në të dyja fotot, i pranishëm është dhe biznesmeni i akuzuar për mashtrim, Delish Nguwaya – përfaqësues zyrtar i “Drax Consult Sagl” dhe “Drax International” në Zimbabve.
Mediat në Zimbabve i prezantuan fillimisht shqiptarët si, përfaqësues të kompanisë “Drax”, ndërsa Mërtiri u identifikua gabimisht si Ilir Dedja. Ky gabim i mediave në Harare u importua ‘copy paste’ edhe nga disa media në Tiranë.
I pyetur nga “BIRN” për rolin e tij në këto takime, Gert Bogdani, tha se, nuk kishte lidhje me bizneset e Mirel Mërtirit dhe të personave të tjerë në foto, ndërsa e konsideroi vizitën e tij në Zimbabve si private.
“Vizita dhe fotografia ime në Zimbabve, me të cilën është abuzuar në media kohët e fundit është kryer në fillim të vitit 2019, në kuadër privat dhe si person pa asnjë post publik”,- tha Bogdani në një përgjigje përmes e-mailit.
Ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse shfaqja e tij përkrah Mërtirit në Harare, binte ndesh me angazhimin e tij politik. Por Bogdani, u distancua nga koncesionet e mbetjeve urbane, duke i konsideruar ato projekte të qeverisë ‘Rama’.
Në “rrjetën” e Mërtirit ngec edhe PD
Partia Demokratike i ka deklaruar “BIRN” se, nuk kishte asnjë dijeni për takimet e ish-deputetit Bogdani në Afrikë, ndërsa shtoi se, Bogdani nuk ka përfaqësuar PD-në në asnjë prej tyre dhe se nuk mban asnjë funksion drejtues prej vitit të shkuar.
“Asnjë foto dhe asnjë takim, i kujtdo qoftë, nuk e zbeh vendosmërinë e Partisë Demokratike në luftën kundër korrupsionit”,- tha zyra e shtypit e PD.
Në një reagim të rrallë për mediat, Mërtiri mohoi çdo lidhje me kompanitë “Drax” dhe skandalin e ilaçeve në Zimbabve.
Edhe Ilir Dedja, mohoi çdo lidhje të Mërtirit me kompanitë e tij, “Drax Consult Sagl” dhe “Drax International” apo me angazhimet e biznesit në Zimbabve.
Në një bisedë telefonike me “BIRN”, Ilir Dedja, pretendoi se kishte bërë biznes të ligjshëm në Zimbabve përmes një studioje ligjore, pa udhëtuar asnjëherë atje dhe pa takuar asnjë politikan të nivelit të lartë. Ai pretendoi gjithashtu se kontratat për llogari të dy kompanive nuk ishin 60 milionë, por 33.7 milionë USD.
‘Unë kam dorëzuar 2.7 milionë USD pajisje në Zimbabve dhe jam paguar vetëm për 2 milionë USD,’ tha ai, duke shtuar se përfaqësuesit e tij ligjorë do ta ndiqnin çështjen deri në fund.
Dedja pranoi se e njihte Mërtirin prej kohës së blerjes së kompanisë C.G.C., me qëllimin për të ndërtuar një fabrikë qelqi në Shqipëri. Ai konfirmoi gjithashtu se, kompania e tij “3DDD Swiss Trading S.A”, ka paguar projektin e impiantit të ujërave të ndotur në Sharrë, por e konsideroi këtë një marrëveshje normale biznesi.
“Unë kam shumë partnerë në Europë dhe kompaninë “Icaria S.r.l” e njoh shumë mirë, sepse në Itali kam punuar për 20 vite”,- tha Dedja. “Madje për projektin nuk jam paguar ende nga zotëria [Mërtiri]”,- përfundoi ai.
/Burimi: BIRN/ Përshtati: GazetaReforma.com/