Skip to content
Kryesore

Administrimi i pallateve/ Avokati: Administratori është punonjës, jo pronar

· 2 min lexim

Mëngjesin e sotëm, avokati Erald Aga ishte i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, ku diskutoi mbi administrimin e ambienteve të përbashkëta në pallate.

Ai theksoi rëndësinë e respektimit të ligjit të vitit 2009, i cili rregullon mënyrën e funksionimit të administrimit të këtyre ambienteve dhe përcakton detyrat e administratorit.

Administratori është punonjës, jo pronar
Avokati theksoi se administratori i pallatit nuk është pronar, edhe pse shpeshherë ata sillen si të tillë. “Administratori është një punonjës që duhet t’u shërbejë banorëve,” tha Aga.

Përgjegjësitë e administratorit dhe roli i banorëve
Sipas ligjit të vitit 2009, banorët e një pallati, si pronarët ashtu edhe qiramarrësit, krijojnë Asamblenë e bashkëpronarëve.

Kjo asamble zgjedh administratorin dhe cakton një kryesi prej 3-5 personash që mbikëqyr punën e tij.

“Administratorët duhet të jenë transparentë, të lëshojnë fatura për shërbimet dhe të krijojnë një fond rezervë për raste emergjente, si prishja e ashensorit apo pompave,” sqaroi avokati.

 

Ai gjithashtu përmendi se të ardhurat nga reklamat e vendosura në pallate duhet të shpërndahen ndër banorë ose të shkojnë në fondin rezervë.

Në lidhje me përmirësimet ligjore, Aga përmendi një propozim të ri që sanksionon masa për moskryerjen e pagesave të tarifës së administrimit.

“Nëse tarifa nuk paguhet për 6 muaj, fillimisht vendoset një gjobë, dhe në rast të mosshlyerjes, mund të bllokohet apo hipotekohet apartamenti,” shpjegoi ai.