Të shumta kanë qenë reagimet e politikanëve sot lidhur me çështjen e Sali Berishës, pasi Kuvendi i hoqi imunitetin atij duke i hapur rrugë organeve të gjyqësorit për arrestimin e tij.
Së fundmi ka reaguar edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili u fokusua tek ndryshimi i Rregullores së Kuvendit dhe ligjin për komisionet hetimore.
Ai theksoi për mediat se ndryshimi i Rregullores së Kuvendit dhe ligji i ri për komisionet hetimore, synojnë të godasin parlamentarizmin në Shqipëri.
Meta u pyet nga gazetarët nëse i druhet faktit që mund të ketë të njëjtin fat si Berisha, duke qenë se dhe ai ka disa dosje të hapura në SPAK .
“Berisha ka qenë shumë i hapur të bashkëpunojë me strukturat e drejtësisë. Ai ka protestuar për rrugën që është ndjekur në këtë proces, për të mbrojtur parimet e Kushtetutës. Së dyti, në rastin e Berishës janë aplikuar standarde të dyfishta në raport me disa ish-deputetë të maxhorancës. Sa më përket mua, s’kam pasur dhe as s’do kem asnjë lloj shqetësimi të tillë dhe sa i përket mitit të paprekshëmve, nuk e besoj, sepse vërtet është një prokuror i lartë por nuk është një kryeministër,” është shprehur Meta.