Presidenti Ilir Meta ka sjell në vëmendje një veprim kriminal që po ndodh me pajisjet mjekësore që po shiten me çmime jashtë normales. Meta foli për raportin e publikuar nga BIRN, në të cilin lajmërohet se në vend qarkullojnë pajisje të pacertifikuara dhe pa asistencë mjekësore.
“Është kriminale të trajtohen të sëmurët me oksigjen të paçertifikuar dhe pajisje, që u shiten në treg të zi familjeve deri në 5 herë më shumë se vlera e tregut”, shkruan Meta.
POSTIMI I PLOTË
Mostrajtimi me oksigjen i të prekurve nga koronavirusi dhe lënia e tyre në mëshirën e spekulantëve të tregut të zi është e pafalshme.
Rëndimi i situatës shëndetësore të shumë të sëmurëve deri në kërcënim të jetës, i detyrohet mostrajtimit të tyre në kohë me oksigjen.
Për këtë është këmbëngulur, që trajtimi me oksigjen teknikisht të çertifikuar të kryhet nga mjeku i familjes dhe të mos pritet shtrimi në spital.
Edhe projektet ndërkombëtare të ndihmës anticovid kanë synuar pikërisht këtë: Trajtimin sa më parë nga shërbimi mjekësor parësor me oksigjeno-terapi të të sëmurëve.
Është e rrezikëshme dhe kriminale, të trajtohen të sëmurët me oksigjen të paçertifikuar dhe pajisje, që u shiten në treg të zi familjeve deri në 5 herë më shumë se vlera e tregut.
Të ndalet kjo kontrabandë e shëmtuar dhe e rrezikshme për shëndetin publik.
Përgjegjësit para ligjit!