Ashtu si një pjesë e mirë e sektorit publik në Shqipëri, edhe Posta Shqiptare duket se nuk do t’i shpëtojë privatizimit. Treguesit më të fundit të të ardhurave nëse lexohen në mënyrën e duhur, çojnë vetëm në këtë drejtim. Burime për Gazetën Reforma bëjnë me dije se është Shefqet Kastrati oligarku që do të marrë në pronësi Postën Shqiptare.
Por çfarë po ndodh?
Gjatë periudhës së pandemisë aktiviteti postar pësoi një rritje, ndryshe nga shumë sektor të tjerë të shërbimit.Kjo për arsyen se shumë aktivitete të jetës së përditshme u zhvendosën online, me blerjet që u shtuan në këtë kategori. Sipas të dhënave të publikuara nga Monitor, tregu postar ka gjeneruar mbi 2,3 miliardë lekë. Është Posta Shqiptare ajo që në të dhënat e publikuara nga Strategjia e Qeverisë për zhvillimin e shërbimit publik postar deri më 2026, gati dominon tregun. Në të dhënat statistikore nga viti 2019 vihet re se në krahasim me vitin 2018, ka pasur një rritje prej 17% të numrit të përgjithshëm të objekteve postare të pranuara e lidhur kjo dhe me një tendencë në rritje të tregtisë elektronike. Përsa i përket objekteve postare të pranuara nga Posta Shqiptare sh.a., në krahasim me vitin 2018 vërehet një rritje e treguesit të shërbimit universal me respektivisht 24.1%. Kjo rritje vjen edhe pas tenderave të majmë që janë dhënë nga ky institucion. Jo më larg se viti i kaluar drejtori i postës Shqiptare, Laert Duraj dha një tender të majmë për pajisje sigurie, sistemi alarmi, kamera etj. që kapte vlerën e rreth 335 milionë lekëve të vjetra me TVSH.
Më herët Duraj kishte dhënë tendera të tjera me vlera të larta duke filluar që nga rikonstruktimi i filialeve postare; 32.2 mln lekë për rikonstruksionin e Filialeve të Postës në Shkodër, Lezhë, Mat dhe Kukës; 75.8 mln lekë për rikonstruksionin e Filialeve në Lushnjë, Berat, Fier, Mat, Lezhë, Shkodër dhe Kukës etj.
Po ashtu rreth 404 milionë lekë të vjetra (33,731,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 404 milionë lekë të vjetra me TVSH) shkuan për lexues barkodesh.
Ndërkohë, si shpërblim drejtori është edhe në listën e Partisë Socialiste si kandidat për deputet në qarkun e Gjirokastrës në zgjedhjet e 25 prillit.
Pvarësisht shpenzimeve marramendëse dhe ‘lëshimit të dorës’ me buxhetin e këtij institucioni, Posta Shqiptare doli me të ardhura pozitive ndikuar edhe nga pandemia dhe blerjet online gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë, shpenzimet e majme kanë qëllim rrënimin e Posëts në mënyrë që ajo të privatizohet e të kalojë në duart e Kastratit. Ndryshe pse ky përqendrim i tregut te Posta Shqiptare? Rrjedhimisht kjo do të çojë në eliminimin e konkurrencës dhe zaptimin e tregut vetëm nga një operator, ashtu siç janë bërë gjërat gati më parë edhe në sektorin minerar, të hidrokarbureve apo edhe turizmit.
Në prag të zgjedhjeve nuk ka asnjë reagim nga asnjëra prej palëve dhe është e kuptueshme se kushdo që të jetë në qeveri, është i pazë përballë oligarkëve që kanë zaptuar çdo gjë në vend. Posta Shqiptare është një institucion me të ardhura të majme dhe kapitali i saj aktual është 3 miliardë, 008 milionë e 624 mijë lekë të reja. Por tenderat që jepen pa kriter do të çonin në një falimentim që do të bënte që Shefqet Kastrati të mos shpenzonte shuma të mëdha për ta blerë, por nga ana tjetër fitimi i tij do të ishte i pallogaritshëm.
Siç duket kryefjala e qeverisë në këto tetë vite kanë qenë koncesionet dhe do të vazhdojnë të jenë përderisa asnjë nga partitë e opozitës nuk ka guxim të përmend emra oligarkësh të cilët pretendon se do i luftojë. Por oligarkët veçse kanë privatizuar çdo gjë, duket se kanë ‘privatizuar’ edhe politikanët e partitë politike.