Në Kavajë vazhdon të abuzohet me lejet e ndërtimit brenda zonave turistike, të gjelbra apo që cënojnë komunitetin.
Rasti i fundit, siç ka mësuar ekskluzivisht “gazetareforma”, është leja që kryetari i bashkisë Kavajë Isa Sakja ka dhënë për t’u ndërtuar brenda një hapësire ngjitur me një resort të famshëm te mali i Robit. Zona në fjalë njihet për natyrën dhe efektet pozitive që ka në turizëm.
Skandali thellohet akoma më tej me miratimin e kësaj lejeje abuzive nga drejtoresha e Urbanistikës, Dëshira Qato.
Theksojmë se nëse ky plan vihet në zbatim i gjithë dëmi do të bjerë mbi zonat turistike.
E gjithë çështja bëhet për interesa korruptive të disa investitorëve duke bllokuar një komunitet me mbi 300 familje të cilat janë të pajisura me certifikata pronësie.
Ndërkohë që leja nuk u miratua nga Drejtoria e Kadastrës Urbane dhe Menaxhimit të Aseteve, çështja i ka kaluar Edison Konomit, drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe ky i fundit i ka dhënë dritën jeshile pa shumë mundim.
Megjithatë për të sqaruar çështjen në fjalë pritet dhe qëndrimi i Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili duhet të japë pëlqimin për çdo projekt në zona turistike aq më tepër kur flasim për një hapësirë pak metra nga deti.
Ndërkohë në një studim të kryeministrisë në fund të janarit përjashtohen kategorikisht lejet abuzive si rasti në fjalë, që cënon komunitetin, turizmin dhe zonën e gjelbër duke qenë pak metra larg detit.
Për të hetuar mbi rastin e për të hedhur dritë mbi atë se si qëndron e vërteta ” topi” i mbetet ministrisë së Drejtësisë. Ministrja Gjonaj do duhet të ngrejë një Task Force për të zbuluar aferën.
Kujtojmë se e gjithë çështja ndodh në një bashki, e cila njihet prej vitesh për problematika të tilla në kundërshtim me ligjin dhe politikat e zhvillimit të turizmit.