Menjëherë pas fitores në zgjedhjet e Kosovës, kanë ardhur edhe urimet e para për vetëvendosjen dhe aleaten e saj, Vjosa Osmani. Presidenti amerikan, Joe Biden, nuk ka humbur kohë për të uruar ish-kryetaren e Kuvendit të Kosovës, për fitoren historike dhe 13 vjetroin e pavarësisë që Kosova do të festojë këtë 17 shkurt.
Në letrën që i ka dërguar Osmanit ai shkruan se lidhjet mes popullit amerikan dhe atij Kosovar mbeten të forta dhe se përkushtimi i tij është që Kosova të ketë një zhvillim të qëndrueshëm në konsolidimin e saj si vend sovran dhe demokratik në rajon.
Më tej presidenti amerikan shkruan se qeveria e tij mezi pret të punojë me qeverinë e re të Kosovës dhe se puna që i pret është e madhe, në raport me një dialog me Serbinë që në qendër do ketë njohjen e ndërsjelltë, dhe në përballimin e pandemisë globale të COVID-19.
Biden konfirmon mbështetjen dhe përkushtimin e tij si mik i Kosovës, në kujtim edhe të djalit të ndjerë, Beau Biden i cili punoi fortë për të siguruar paqen dhe drejtësinë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kujtojmë që presidenti i tanishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka mbajtur një qëndrim mbështetës ndaj Kosovës edhe në kohën kur kjo e fundit ishte nën pushtimin e Serbisë dhe një genocid masiv po bëhej ndaj popullit Kosovar.