Numërimi i fletëve të votimit vazhdon në Kosovë teksa Lëvizja Vetëvendosje i afrohet gjithnjë e më shumë 50% të votave dhe formimit të qeverisë e vetme. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka një rezultat shumë zhgënjyes, teksa deri tani ka marrë 13.36% të votave. Mejëherë pas rezultateve të para, ka reaguar edhe kreu i LDK, Isa Mustafa. Ai shkruan se Avdulla Hoti ka bërë një punë të shkëlqyer gjatë kohës që ka qenë kryeministër. Mustafa ka thënë se cilido që të jetë rezultati, LDK do e pranojë. Ndër të tjera, Mustafa tha se do të bëjnë ndryshimet e nevosjshme për t’u rikthyer në vizionin rugovian të saj për vendin. Nga ana tjetër, Vetëvendosje i kryeson bindshëm zgjedhjet deri tani me më shumë se 48% të votave. Ndërkohë, më pas në renditje vjen Partia Demokratike e Kosovës me 17.50% të votave.
Reagimi i plotë i Mustafës:
Miq të nderuar. Në ditët në vijim, do të bëjmë një analizë të thellë të zgjedhjeve. Z. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si Kryeministër por edhe gjatë fushatës. Çfardo të jetë, LDK e respekton rezultatin e zgjedhjeve. Ne do të bëjmë ndryshimet e nevojshme dhe LDK do të punojë shumë që të rikthehet dhe ta sendërtojë vizionin e saj rugovian për vendin.