Zgjedhjet e 25 prillit po afrojnë dhe politikanët kanë nisur pa humbur kohë fushatën për të fituar mbështetjen e qytetarëve. Mes shumë mënyrave që kemi parë si formë propagande dhe idealizimi të kandidatit, Rudina Hajdari dhe Lulzim Basha na kanë njohur me mënyra të reja. Njëra “shitëse” e tjetri “kuzhinier”, ashtu siç nuk i kemi parë ndonjëherë.
Rudina Hajdari në kuadrin e fushatës së saj si kandidate e mismës “Thurje” për deputete në Elbasan, ka vizituar sot Përrenjasin. Ajo ka biseduar me qytetarët dhe tregtarët e këtij qyteti, madje edhe i ka ndihmar këta të fundit gjatë punës.
Në një video të publikuar ajo shihet duke shërbyer si shitëse në tregun e Përrenjasit dhe duke peshuar disa mollë për një blerëse.
https://www.instagram.com/p/CK_ax-jgWsw/?utm_source=ig_web_copy_link
Hajdari shkruan në krah të videos se “puna e ndershme është vyrtyti që na duhet ta rikthejmë në piedestal.” Po nga Përrenjasi, Hajdari bëri thirrje që shteti të ndalojë së mbështeturi “krimin e organizuar dhe korrupsionin, e t’i kthehet qytetarëve.”
Por ka qenë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ai që mbrëmjen e kaluar ka marrë vëmendjen më të madhe. Ishte bashkëshortja e tij, Aurela ajo që publikoi një video ku Basha shihet në kuzhinë duke gatuar.
“Burri im gatuan më mirë se unë (kur ka kohë)”, shkruan Aurela në Instagram. Ndërkohë, në video dëgjohet kreu i demokratëve që i kërkon bashkëshortes që të mos e publikojë në rrjetet sociale.
Janë të shumta rastet kur kandidatët në zgjedhje marrin petkun e njerëzve të thjeshtë për të bindur qytetarët për t’i votuar. Rama dhe Veliaj kanë zakonin të puthin e të përqafojnë këtë zonjat e moshuara për t’u dukur më të afërt e të dashur me njerëzit. Por pas idesë “origjinale” të kryedemokratit Rama ndoshta duhet të mendojë diçka tjetër. Në kuadër të fushatës mund të shohim kryeministrin duke larë enët. Pse jo, çdo gjë mund të bëhet për vota.